Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2 të nenit 15 të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në ushtrim të
përgjegjësive të veta, në përputhje me ligjin nr.9235,
datë 29.7.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës",
të ndryshuar, dhe me aktet nënligjore, të dala në zbatim
të tij, bashkëpunon me institucionet shtetërore, që kanë
në administrim pronën, shtetërore apo publike, apo që
kanë të dhëna të nevojshme, për pronën, objekt
shqyrtimi.
2. Për vërtetimin e gjendjes, juridike apo fizike, të pronës,
konfirmimin e dokumentacionit tekniko-ligjor, si dhe të çdo informacioni
tjetër të nevojshëm, AKKP-ja dhe zyrat rajonale të saj,
kërkojnë në varësi të objektit të kërkesës/ankesës,
i cili do të shërbejë si bazë në përcaktimin
e kthimit ose kompensimit të pronës, informacion apo konfirmim,
pranë institucioneve të mëposhtme:
- Zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZRPP),
për vërtetimin për gjendjen juridike të pronës.
- Këshillit të qarkut (seksioni i administrimit dhe mbrojtjes së
tokës), (SAMT), për vërtetimin e gjendjes juridike të
sipërfaqeve, që në regjistrin kadastral figurojnë "tokë
bujqësore".
- Njësive të qeverisjes vendore, për pronat që i shërbejnë
një interesi publik dhe për të cilat bëhet propozimi për
tjetërsim.
- Bashkisë (Drejtoria e Përgjithshme e Urbanistikës), komunës,
këshillit të qarkut (Drejtoria e Urbanistikës apo njësitë
e legalizimit), për konfirmimin e gjendjes së pronës.
- Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
apo organeve në varësi të saj, për pronat e përmbytura
nga hidrocentralet dhe nëse pronarët kanë përfituar sipas
ligjit për shpronësimet për interes publik.
- Ministrive dhe institucioneve të tjera shtetërore, për pronat
të cilat nuk shfrytëzohen për interesa publike.
- Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit dhe Integrimit të
Zonave Informale.
- Entit Kombëtar të Banesave.
- Ministrisë së Mbrojtjes.
- Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së
Konsumatorit, për pronat e tjera të paluajtshme, përveç
tokës bujqësore, të parashikuara në paragrafin e dytë
të kësaj pike.
- Arkivit Qendror të Shtetit.
- Drejtorisë së Shërbimit Pyjor (arkivi i kadastrës pyjore),
për zërat kadastralë: "Tokë pyjore", "Pyje",
"Livadhe" dhe "Kullota".
- Departamentit të shërbimit të tokës dhe ujit, në
QTTB, Fushë-Krujë.
- Çdo institucioni tjetër shtetëror, i cili ka në administrim
pronën, objekt shqyrtimi apo që mund të japë informacion
për të.
3. Kërkesa për marrjen e informacionit paraqitet me shkrim e nënshkruhet
nga drejtuesi i AKKP-së dhe i zyrave rajonale.
4. Institucionet, e përmendura në pikën 2 të këtij
vendimi, duhet të kthejnë përgjigje, me shkrim, të nënshkruar
nga titullari apo, në mungesë të tij, nga zëvendësi,
pranë AKKP-së dhe zyrave rajonale, brenda 10 ditëve nga administrimi
i kërkesës pranë institucionit të tyre. Në rast të
moskthimit të përgjigjes brenda këtij afati, drejtuesi i AKKP-së,
njofton, me shkrim, Ministrin e Drejtësisë dhe kabinetin e Kryeministrit.
5. Institucionet përgjegjëse për administrimin apo privatizimin
e pronës publike, për objektet shtetërore, për të
cilat do të fillojnë procedurat e privatizimit, duhet të vënë
në dijeni, paraprakisht, AKKP-në dhe zyrën rajonale në
qark, ku ndodhet prona, objekt i privatizimit, e cila duhet të japë
përgjigje për pronësinë e tokës, brenda 60 ditëve
nga paraqitja e këtij informacioni, për garantimin e ushtrimit të
së drejtës së parablerjes nga subjekti i shpronësuar.
6. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, brenda 60
ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, vë në dispozicion
të AKKP-së hartat e zonave, që kanë përparësi
zhvillimin e turizmit, si dhe masterplanet e studimeve të zonave turistike,
për një periudhë afatmesme 10-vjeçare.
7. Vendimi nr.330, datë 13.5.2005 i Këshillit të Ministrave
"Për sigurimin e të dhënave për pronat, publike dhe
private, në funksion të realizimit të procesit të kthimit
dhe kompensimit të tyre", shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha