V E N D O S I:
1. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Republikën
e Shqipërisë, më poshtë e quajtur AKKP-ja, është
person juridik, publik, në varësi të ministrit të
Drejtësisë.
2. AKKP-ja ka zyrën qendrore në Tiranë dhe 12 zyra rajonale
në qarqe. Kjo agjenci, gjatë ushtrimit të veprimtarisë,
është e hapur për publikun dhe në shërbim të
subjekteve të shpronësuara a të trashëgimtarëve
të tyre, gjatë gjithë orarit zyrtar të punës.
Çdo kufizim brenda orarit zyrtar, për aplikim, shtim/korrigjim
dokumentacioni, takim, këshillim, me punonjësit e agjencisë,
përcaktohet me urdhër të brendshëm të drejtorit
të Përgjithshëm të AKKP-së.
3. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave përmbush objektivat,
kryen detyrat dhe ushtron përgjegjësitë, e përcaktuara
në nenet 15 e 16, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për
kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar.
4. Organika dhe struktura e AKKP-së (zyra qendrore dhe zyrat rajonale)
përcaktohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e
ministrit të Drejtësisë, në përputhje me nenin
10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin
dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”.
5. AKKP-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm dhe 2 (dy)
zëvendësdrejtorë.
5/1.Drejtori i Përgjithshëm, përveç detyrave dhe
përgjegjësive të parashikuara në ligj, ushtron dhe
këto përgjegjësi:
a. Përfaqëson dhe drejton agjencinë;
b. U kërkon drejtuesve rajonalë shpjegime, relatime dhe verifikime
administrative, për çështjet që ata mbulojnë;
c. Pezullon zbatimin e akteve të brendshme të drejtuesve rajonalë,
me nismën e vet ose me kërkesë të subjekteve të
interesuara, kur vëren shkelje të ligjeve, të akteve të
Këshillit të Ministrave ose akteve, mbi të cilat mbështetet
funksionimi i kësaj agjencie;
ç. Raporton, informon dhe i relaton për veprimtarinë
e agjencisë ministrit të Drejtësisë, si dhe zbaton
udhëzimet e tij;
d. Raporton në institucionet kushtetuese, sipas këtij vendimi.
5/2. Dy zëvendësdrejtorët drejtojnë, përkatësisht,
në nivel kombëtar, strukturat e mëposhtme:
a. Drejtorinë e Kthimit të Pronave, përgjegjëse për
shqyrtimin, ndjekjen dhe zgjidhjen, sipas ligjit, të kërkesave
të subjekteve të shpronësuara, përditësimin e
të dhënave në regjistër për çështjet
e shqyrtuara (njohje, kthim a kompensim pronash), regjistrimin pranë
zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme të
vendimeve, ku disponohet, në favor të subjektit të shpronësuar,
e drejta e pronësisë për pasuri të paluajtshme apo
të drejta reale të lidhura me to, si dhe çdo detyrë
tjetër, të caktuar nga drejtori i Përgjithshëm i agjencisë.
b. Drejtorinë e Kompensimit të Pronave, përgjegjëse
për evidentimin e subjekteve dhe përgatitjen e të dhënave
të regjistrit për subjektet e shpronësuara, që përfitojnë
kompensim, sipas këtij ligji, përllogaritjen e faturës
financiare, administrimin dhe shpërndarjen, sipas ligjit, të
fondit të kompensimit, të vënë në dispozicion,
si dhe çdo detyrë tjetër, të caktuar nga drejtori
i Përgjithshëm i agjencisë .
6. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së emërohet, lirohet
dhe shkarkohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave, me propozimin
e Kryeministrit, ndërsa 2 zëvendësdrejtorët emërohen,
lirohen dhe shkarkohen nga detyra nga Kryeministri, me propozimin e ministrit
të Drejtësisë. Drejtori i Përgjithshëm dhe 2
zëvendësdrejtorët e agjencisë propozohen nga radhët
e personave të aftë profesionalisht, me përvojë në
drejtim dhe integritet të lartë personal.
Kryeministri, në urdhrin e emërimit, përcakton zëvendësdrejtorin
përgjegjës, i cili në mungesë të drejtorit të
Përgjithshëm, ka të drejtën të ushtrojë
detyrat dhe përgjegjësitë, për përfaqësimin
e AKKP-së, për çështjet e përcaktuara në
nenin 16, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, të ndryshuar.
7. Drejtuesit e zyrave rajonale emërohen, lirohen dhe shkarkohen
nga detyra nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë. Ata
përzgjidhen ndërmjet kandidatëve, shtetas shqiptarë,
të aftë profesionalisht, me përvojë në drejtim
dhe me integritet të lartë personal.
8. Detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të Përgjithshëm
të AKKP-së apo të drejtorit të zyrës rajonale
të kthimit dhe kompensimit të pronave, në zbatim të
nenit 16, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për
kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, ushtrohen
kur vendi mbetet vakant për më shumë se 10 ditë kalendarike,
drejtpërdrejt, sipas nenit 34, të ligjit nr.8485, datë
12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës
së Shqipërisë”, nga zëvendësdrejtori, që
mban këtë tagër në urdhrin e emërimit të
tij në detyrë.
Në çdo rast, AKKP-ja evidenton, në regjistrat e veta,
në mënyrë të saktë, periudhën e zëvendësimit
dhe e bën publike për çdo të interesuar, duke e
vendosur edhe në faqen e internetit të agjencisë. Ky informacion
përditësohet çdo javë.
Për çdo detyrë a përgjegjësi tjetër,
zëvendësimi a delegimi i përgjegjësive kryhet në
përputhje me legjislacionin në fuqi.
9. Drejtori i Përgjithshëm i raporton, me shkrim, periodikisht,
çdo tre muaj, Kryeministrit dhe Komisionit të Përhershëm
Parlamentar për Ekonominë dhe Financën, të Kuvendit
të Republikës së Shqipërisë. Raporti përmban:
a. të dhënat e përgjithshme për ecurinë e procesit
të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave dhe mbarëvajtjen
e tij, si dhe detyrimin për të raportuar për sipërfaqen
dhe vlerën në lekë;
b. numrin e kërkesave të paraqitura nga subjektet e shpronësuara,
të ndara në nivel qarku dhe në shkallë vendi, si dhe
llojin e pasurisë;
c. numrin e kërkesave të shqyrtuara në zyrat rajonale,
raportet e kthimit dhe kompensimit, indeksin e saktë të çështjeve
të pranuara a të rrëzuara, si dhe numrin e çështjeve
të ankimuara në zyrën qendrore;
ç. numrin e kompensimeve, të kryera nga zyra qendrore;
d. numrin e ankimimeve, të shqyrtuara nga drejtori i Përgjithshëm,
si dhe indeksin e çështjeve, për të cilat është
vendosur pranimi i ankimit, rrëzimi apo zgjidhja në themel;
dh. numrin e vendimeve të formës së prerë;
e. të dhënat për nivelin e bashkëpunimit me institucionet
e tjera shtetërore;
ë. indeksin e rasteve të ankimit gjyqësor;
f. të dhënat për politikën e ndjekur nga agjencia,
për çështje të kontrollit të ligjshmërisë,
luftës kundër korrupsionit, konfliktit të interesit, mitmarrjes
apo favorizimeve të tjera, të paligjshme;
g. të dhënat për trajtimin e denoncimeve nga qytetarët;
gj. të dhënat për çdo çështje tjetër,
për të cilën kërkohet informacion apo që, sipas
vlerësimit të drejtorit të Përgjithshëm, duhet
të vihet në dijeni Kryeministri dhe/apo komisioni përkatës
i Kuvendit.
Të dhënat e përcaktuara nga shkronja “a” deri
në shkronjën “g” dhe të dhënat e tjera,
që kanë lidhje me procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit
të pronave, për subjektet e shpronësuara, bëhen publike
në faqen elektronike të agjencisë brenda 2 javësh
nga dorëzimi i raportit.
10. Drejtori i zyrës rajonale u raporton me shkrim, çdo muaj,
drejtorit të Përgjithshëm dhe prefektit të qarkut.
Raporti përmban:
a. të dhënat e përgjithshme për ecurinë e procesit
të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave në qark
dhe për mbarëvajtjen e këtij procesi, si dhe detyrimin
për të raportuar për sipërfaqen dhe vlerën në
lekë;
b. numrin e kërkesave të paraqitura nga subjektet e shpronësuara
dhe llojin e pasurisë, objekt kërkimi;
c. numrin e kërkesave të shqyrtuara dhe raportet e kthimit dhe
të kompensimit, indeksin e saktë të çështjeve
të pranuara a të rrëzuara, si dhe numrin e çështjeve
të ankimuara në zyrën qendrore;
ç. të dhëna për nivelin e bashkëpunimit me
institucionet e tjera shtetërore të qarkut;
d. indeksin e rasteve të ankimit gjyqësor;
e. të dhëna për çdo çështje tjetër,
për të cilën kërkohet informacion apo që, sipas
vlerësimit të drejtorit të zyrës rajonale, duhet të
vihet në dijeni drejtori i Përgjithshëm apo prefekti.
Raporti për drejtorin e Përgjithshëm duhet të përmbajë
edhe informacion për mënyrën e zbatimit të politikës
së zyrës rajonale, performancën e personelit të punësuar
në këtë zyrë, zbatimin dhe ndjekjen e buxhetit, zbatimin
e detyrave dhe të përgjegjësive, të lëna nga
drejtori i Përgjithshëm, raportet e Kontrollit të Brendshëm
Administrativ dhe Antikorrupsion të Këshillit të Ministrave
apo raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
11. Agjencia i ushtron funksionet e veta në përputhje me ligjin
nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin
e pronës”, të ndryshuar, Kodin e Procedurave Administrative,
ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi, si dhe me aktet e brendshme
të drejtorit të Përgjithshëm.
Të gjithë punonjësit e AKKP-së, që, sipas detyrës
funksionale, pranojnë, ndjekin, plotësojnë, shqyrtojnë
apo hetojnë, paraprakisht, kërkesat e subjekteve të shpronësuara
apo përgatisin projektaktin a relacionin shoqërues, për
çështje të shqyrtimit dhe vendimmarrjes së drejtorit
të Përgjithshëm apo të drejtorit të zyrës
rajonale, sipas nenit 16, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004,
“Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, kanë
përgjegjësinë t’i dokumentojnë veprimet që
kryejnë edhe në dosjen, ku regjistrohet kërkesa dhe vendoset
dokumentacioni provues.
Evidentimi i veprimeve, në kuptim të këtij vendimi, kryhet
nëpërmjet përfshirjes në dosje të çdo
shkrese, që i bashkëlidhet praktikës, si dhe nëpërmjet
depozitimit të të gjitha procesverbaleve, kujtesave, informacioneve,
akteve të vlerësimit a ekspertimit, të përgatitura,
sipas rastit apo çdo shkresë tjetër për të
tretë apo të brendshme, për trajtimin e kësaj kërkese.
Në kuptim të këtij detyrimi, sektori juridik në zyrën
rajonale apo/dhe sektori juridik në qendër, kanë përgjegjësinë
ligjore të bëjnë vlerësimin e kërkesës dhe
të rrethanave të paraqitura, për çështje të
bazueshmërisë së saj në ligj dhe në prova. Vlerësimi
ligjor është pjesë përbërëse e praktikës
dhe nënshkruhet nga specialisti/ët jurist, që shqyrtoi/uan
praktikën dhe përgjegjësi i zyrës ligjore, që
e mbikëqyri dhe pranoi atë.
12. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së ndjek dhe vë
në dijeni, çdo muaj, ministrin e Drejtësisë, për
çështje të përfaqësimit të interesave
ligjore të shtetit në gjykatë, gjatë zgjidhjes dhe
shqyrtimit të konflikteve, në përputhje me nenin 18, të
ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin
e pronës”, të ndryshuar.
13. Drejtuesi i zyrës rajonale dërgon në zyrën qendrore
të agjencisë, brenda 7 ditëve kalendarike, një kopje
të çdo akti administrativ, të marrë në përputhje
me nenin 16, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për
kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, që
i bashkëlidhet, sipas qarqeve, fondit arkivor. Ruajtja dhe administrimi
i dokumentacionit në AKKP në qendër dhe në zyrat rajonale,
të kryhen në përputhje me ligjin nr.9154, datë 6.11.2003,
“Për arkivat”.
14. Personeli i AKKP-së duhet të plotësojë kërkesat
e përgjithshme, të përcaktuara në pikën 1, të
nenit 12, të ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi
i nëpunësit civil”, dhe kërkesat e veçanta,
të përcaktuara nga drejtori i Përgjithshëm i agjencisë.
AKKP-ja rekruton personel, specialistë, të diplomuar në
degët drejtësi, urbanistikë, arkitekturë, inxhinieri,
specialistë për vlerësim pasurish të paluajtshme,
ekonomistë, topografë dhe personel ndihmës. Marrëdhëniet
e punës rregullohen me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi
i Punës në Republikën e Shqipërisë”, të
ndryshuar.
15. AKKP-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe nga donacionet e huaja.
16. Prefekti i çdo qarku, jo më vonë se 10 ditë
nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, mbikëqyr transferimin
e arkivit, të logjistikës dhe të mjeteve të punës
së zyrave rajonale dhe njofton me shkrim Kryeministrin për ecurinë
e procesit. Transferimi të kryhet me procesverbal, për çdo
dosje a praktikë të depozituar nga subjektet e shpronësuara.
Kjo procedurë të zbatohet dhe për transferimin e çdo
dosjeje nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të
Pronave, në zyrën qendrore të AKKP-së.
17. Drejtori i Përgjithshëm bashkërendon punën në
vijim me donatorët e huaj dhe organizatat ndërkombëtare
për asistencën teknike në proces të Komitetit Shtetëror
të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren
zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA