Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës,
me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe
kompensimin e pronës”, të ndryshuar, bëhen këto
ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 16 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë:
“l. Zyra e AKKP-së në qendër ka këto përgjegjësi:
a) udhëheq dhe mbikëqyr punën për zbatimin e këtij
ligji nga zyrat rajonale të qarqeve;
b) bën shqyrtimin fillestar të kërkesës për kompensim
të subjektit të shpronësuar, sipas mënyrës së
parashikuar në nenin 11 të këtij ligji, për pasurinë
e paluajtshme, të njohur për t’u kompensuar;
c) shqyrton ankimin ndaj vendimeve të zyrës rajonale të
AKKP-së në qark apo ish-komisionit vendor për kthimin dhe
kompensimin e pronave dhe ish-komisioneve të rretheve ose bashkive
për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve;
ç) mund të shqyrtojë, me nismën e vet, vendimet
e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qark apo
ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe
ish-komisionet e rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin
e pronave ish-pronarëve.
Në zbatim të përgjegjësive të veta për kompensimin,
zgjidhjen e ankimeve dhe shqyrtimin kryesisht të vendimeve të
dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qark apo ish-komisionet
vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ish-komisionet
e rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve,
Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së shprehet me vendim.”.
2. Pika 3 ndryshohet si më poshtë:
“3. Vendimet e parashikuara në pikat 1 e 2 të këtij
neni duhet të jenë në formë të shkruar, të
arsyetuara, të nënshkruara nga titullari dhe të përmbushin
kërkesat për aktin administrativ, të parashikuara në
Kodin e Procedurave Administrative. Kur vendimi i parashikuar në
pikat 1 e 2 të këtij neni nuk ankimohet ose nuk shqyrtohet nga
Drejtori i AKKP-së brenda afateve të parashikuara nga ky ligj,
ai përbën titull ekzekutiv. Ngarkohen zyrat e përmbarimit
për ekzekutimin e tij, sipas rregullave të parashikuara në
Kodin e Procedurës Civile.”.
3. Pas pikës 3 shtohet pika 4 me këtë përmbajtje:
“4. Tarifat për procedurat e kthimit dhe të kompensimit
të pronave përcaktohen me urdhër të përbashkët
të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave.”.
Neni 2
Paragrafi i parë i pikës 1 të nenit 18 ndryshohet si më
poshtë:
“1. Kundër vendimit të njohjes së të drejtës
së pronësisë, kthimit ose kompensimit të pronës,
si dhe të të drejtave të tjera reale të zyrës
rajonale të AKKP-së në qark, subjekti i shpronësuar
ose Avokatura e Shtetit kanë të drejtë të bëjnë
ankim, brenda 30 ditëve nga njoftimi i këtij vendimi, në
zyrën e AKKP-së në qendër. Kundër vendimit të
njohjes së të drejtës së pronësisë, kthimit
ose kompensimit të pronës, si dhe të të drejtave të
tjera reale të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin
e pronave, si dhe ish-komisioneve të rretheve ose bashkive për
kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve, subjekti i shpronësuar
ose Avokatura e Shtetit kanë të drejtë të bëjnë
ankim në zyrën e AKKP-së në qendër. Jo më
vonë se 30 ditë nga regjistrimi i ankimit, Drejtori i Përgjithshëm
i AKKP-së merr vendim për objektin e ankimit.
Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së ka të drejtë
të shqyrtojë kryesisht, brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit,
vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në
qark. Drejtori i Përgjithshëm shqyrton edhe vendimet e dhëna
nga ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave,
si dhe ish-komisionet e rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin
e pronave ish-pronarëve. Pas shqyrtimit kryesisht ose shqyrtimit
të ankimit, Drejtori i Përgjithsëm i AKKP-së vendos:
a) lënien në fuqi të vendimit;
b) shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të tij;
c) kthimin për rishqyrtim në zyrën rajonale të AKKP-së.”.
Neni 3
Pas nenit 28/2 shtohet neni 28/3 me këtë përmbajtje:
“Neni 28/3
Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, për vendimet e
ish-komisioneve vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave
dhe ish-komisioneve të rretheve ose bashkive për kthimin ose
kompensimin e pronave ish-pronarëve, të ankimuara dhe të
depozituara në Komitetin Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit
të Pronave, para krijimit të AKKP-së, të mbetura pa
shqyrtuar, shprehet me vendim brenda 60 ditëve nga data e hyrjes
në fuqi të këtij ligji.”.
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.5203, datë 8.2.2007 të Presidentit
të Republikës së Shqipërisë,
Alfred Moisiu