Pyetje - Përgjigje

Pyetjet më të shpeshta që bëhen nga subjektet sipas drejtorive:

PËR DREJTORINË E KOMPENSIMIT TË PRONËS

A) KOMPENSIMI FINANCIAR

Pyetje: Cilët subjekte përfitojnë nga procesi i kompensimit në të holla?

Përgjigje: Në parim subjektet e shpronësuar nga rregjimi komunist, prona e të cilëve është e njohur për kompensim përfitojnë kompensim financiar të pjesshëm të pronës së tyre. Vendimi i Këshillit të Ministrave, që lidhet me procesin e kompensimit në të holla do të përcaktojë rregullat dhe kriteret për të përfituar kompensim financiar. Skema e kompensimit për vitin 2011 ende nuk është miratuar nga Këshilli i Ministrave, por po synohet që kompensimi financiar këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera të shtrihet në një gamë më të gjerë përfituesish pra edhe kufizimet të jenë më të pakta.

Pyetje: Kur do të fillojë procesi i kompensimit në të holla për ish-pronarët, që kanë vendime njohje dhe kompensimi të ish-Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave?

Përgjigje: Ky proces, ashtu sikurse tashmë prej pesë vjetësh, fillon me hyrjen në fuqi të Vendimit të përvitshëm të Këshillit të Ministrave për kompensimin në të holla për ish-pronarët apo subjektet e shpronësuara. Me anë të vendimit të Këshillit të Ministrave përcaktohen afatet kohore të aplikimit apo të depozitimit të kërkesave si dhe kriteret apo rregullat bazë, që duhet të plotësohen nga subjektet e interesuar për të përfituar nga ky proces. Me hyrjen në fuqi të këtij akti nënligjor, nga AKKP fillohen procedurat e pranimit të kërkesave për kompensim. Zakonisht afatet kohore të aplikimit apo të depozitimit të kërkesave zgjasin rreth një muaj. Me kriteret apo rregullat bazë, që duhet të plotësohen nga subjektet e interesuar për të përfituar nga ky process, mund të merrni informacionin e nevojshëm në zyrat e AKKP.

Pyetje: Cili sektor në AKKP kryen kompensimin financiar për subjektet prona e të cilëve është njohur për kompensim?

Përgjigje: Sektori i ngarkuar me administrimin dhe përpunimin e kërkesave të këtyre subjekteve, përllogaritjet dhe shpërndarjen e këtij kompensimi financiar në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë është Sektori i Vlerësimit dhe Shpërndarjes së Kompensimit në Drejtorinë e Kompensimit të Pronës i cili ushtron veprimtarinë e tij në katin e dytë të godinës ku është vendosur institucioni.

Pyetje: A mund të kompensohem fizikisht me një pronë tjetër, për të cilën kam informacion të mjaftueshëm që është në pronësi të shtetit dhe e lire juridikisht dhe fizikisht?

Përgjigje: Jo. Për tu kompensuar fizikisht, një pronë duhet më parë të jëtë pjesë e fondit të kompensimit fizik i cili krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Përvec kësaj fillimi i këtij procesi është parashikuar të bëhet pasi Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të ketë verifikuar fondin e tokave të lira shtetërore, që do të shërbejnë për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Ky proces është i kushtëzuar edhe nga përfundimi i shqyrtimit të kërkesave fillestare për njohjen, kthimin apo kompensimin e pronës, i cili është një proces në vijim. Aktualisht, nisur nga kuadri ligjor dhe nënligjor në fuqi, AKKP kryen kompensim fizik në raste të veçanta konform përcaktimeve të VKM nr.257/2007, i ndryshuar.

Pyetje: Cili sektor në AKKP kryen kompensimin financiar si pasojë e shpronësimit nga aktiviteti i ALUIZNI-t?

Përgjigje: Sektori i ngarkuar me përllogaritjet dhe shpërndarjen e këtij kompensimi financiar në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë është gjithashtu Sektori i Vlerësimit dhe Shpërndarjes së Kompensimit.

Pyetje: Cilët subjekte përfitojnë kompensimin financiar si pasojë e shpronësimit nga aktiviteti i ALUIZNI-t?

Përgjigje: Nga ky lloj kompensimi financiar përfitojnë të gjithë ata subjekte pasuritë e të cilëve janë prekur nga ndërtimet pa leje dhe njëkohësisht gjeneralitetet dhe masa e shpërblimit financiar të tyre janë miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Pyetje: Si mund të verifikoj nëse emri im është në listën e përfituesve të miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave?

Përgjigje: Ju mund të verifikoni lehtësisht nëse emri juaj apo i dikujt që njihni është në listën e personave pronarë të pasurive të paluajtëshme të prekur nga legalizimi të cilëve ju është miratuar shpërblimi me vendim të Këshillit të Ministrave.

Pyetje: Si mund të verifikoj nëse emri im është në listën e pronarëve përfitues të cilëve AKKP iu ka kaluar paratë takuese në llogarinë bankare?

Përgjigje: Ju mund të verifikoni lehtësisht nëse emri juaj apo i dikujt që njihni është në listën e personave pronarë të pasurive të paluajtëshme të prekur nga legalizimi të cilëve AKKP iu ka kaluar shumën përkatëse të parave takuese nga shpërblimi.

Pyetje: Sa zgjat procesi i kalimit të të hollave në llogarinë bankare nga momenti i aplikimit?

Përgjigje: Me marrjen e kërkesës nga subjektet, juristi përkatës e shqyrton atë në përputhje me aktet nënligjore . AKKP periodikisht (brenda një afati tremujor nga data e aplikimit) shpall listat e përfituesve nga ky proces.

B) TJETËRSIMI ISIPËRFAQEVE SHTETËRORE (OBORRET NË PËRDORIM)

Pyetje: Kush mund të aplikojë për tjetërsimin e sipërfaqes oborr në përdorim?

PërgjigjeAplikimi për tjetërsimin e sipërfaqes së oborrit në përdorim do të bëhet nga pronari/pronarët i/( trashëgimtarët ligjor të tij/tyre apo cdo person i autorizuar me prokurë, )i ndërtimit të ligjshëm te regjistruar në ZVRPP në pronësi të kërkuesit, i ndërtuar para datës 10.08.1991, në funksion të të cilit është oborri ne perdorim.

Pyetje: Si mund të aplikoj për kalimin në pronësi të oborrit dhe truallit të shtëpisë?

PërgjigjeSi rregull aplikimi bëhet në zyrat e AKKP apo edhe nëpërmjet shërbimit postar. Aplikimi konsiderohet i plotë pasi të plotësohet formulari tip i cili duhet të jetë i shoqëruar me të gjithë dokumentacionin që parashikon VKM nr.578/2012 i ndryshuar të cilët janë gjithshtu të cituar në të (formular). Në të gjitha rastet gjithsesi është e domosdoshme paraqitja pranë zyrave të AKKP për shlyerjen e detyrimit financiar për shpenzimet administrative për hapjen e dosjes në shumën 3000 Lek.

Pyetje: Ku mund ta gjej formularin?

PërgjigjeFormularin e aplikimit për tjetërsimin e sipërfaqes oborr në përdorim mund ta tërhiqni falas pranë zyrave të AKKP si dhe mund ta shkarkoni nga faqja zyrtare e internetit të AKKP www.akkp.gov.al

Pyetje: Në cilat raste trualli për tjetërsim konsiderohet oborr në përdorim?

Përgjigje Për efekte të zbatimit të këtij vendimi, me termin "Oborr në përdorim" do të kuptohet  sipërfaqja e tokës e cila është në pronësi të shtetit por e patrasnferuar në inventarin e pronave të organeve të qeverisjes vendore , funksion  të një ndërtimi të ligjshëm për qëllime banimi.

Pyetje: A duhet të paguaj tjetërsimin e truallit të shtëpisë dhe të oborrit?

Përgjigje: Në rastet kur e drejta e pronësisë është me origjinë të vjetër dhe gjendja juridike e oborrit në përdorim është bërë "shtet" për shkak të ligjeve të kohës, tjetërsimi dhe kalimi në pronësi bëhet pa kundërshpërblim (pa pagesë). Në rastet kur oborri i shtëpisë tuaj nuk është me origjinë të vjetër në pronësinë tuaj, por ai është një truall i dhënë nga shteti rregullisht për të ndërtuar një banesë, para datës 10.8.1991, tjetërsimi dhe kalimi në pronësi bëhet me kundërshpërblim (me pagesë).

Pyetje: Sa është cmimi i truallit që duhet të paguaj për rastet e tjetërsimit me kundërshpërmblim?

PërgjigjeNë këto raste, çmimi varet nga sipërfaqja që tjetërsohet dhe përkatësisht është paraqitur në formularin nr.2 të VKM nr.578/2012.

Pyetje: Ç'farë dokumentacioni duhet të paraqesim për të hapur dosje për oborrin e shtëpisë?

Përgjigje

Dokumentat që duhet të shoqërojnë kërkesën Tuaj, në mënyrë që ajo të merret e plotë nga pikëpamja formale dhe proceduriale janë :

 

a) formulari tip I plotësuar;

 

b) Dokumenti nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtëshme I cili vërteton pronësinë e kërkuesit mbi ndërtimin,

 

c) Genplan i oborrit të pretenduar për tjetërsim i hartuar nga një topograf i licencuar;

 

d) Dokumenti nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtëshme i cili vërteton se gjendja juridike e oborrit që kërkohet të tjetërsohet është shtet dhe se nuk bën pjesë në inventarin e pronave të paluajtshme të qeverisjes vendore;

 

e) Dokumentet, që provojnë faktin se ndërtimi, i cili gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, është kryer përpara datës 10.8.1991.

 

Këto dokumente mund të jenë një leje ndërtimi, e lëshuar nga organi përgjegjës i kohës, një akt zyrtar i lëshuar nga arkivi teknik i ndërtimit, një akt i nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, vendim gjyqësor për vërtetimin e faktit të ndërtimit dhe të kohës së ndërtimit, aktnjoftimi përkatës ose dokumente zyrtare të lëshuara nga organet e pushtetit vendor (lagjja ose rrethi), brenda kompetencave të tyre;

 

f) Nëse aplikoni për tjetërsimin pa kundërshpërblim, duhet të paraqitni edhe dokument që provon pronësinë e mëparshme mbi oborrin në përdorim, që, për shkak të ligjeve të kohës, ka kaluar në përdorim.

 

Pyetje: Nuk di ta plotësoj formularin e aplikimit. Si të veproj?

PërgjigjePër plotësimin e formularit mund të këshilloheni me një avokat, dhe nëse e keni të pamundur, një nga specilistët tanë do të jetë në dispozicionin tuaj për t'Ju ofruar ndihmë pa asnjë lloj detyrimi financiar.

DREJTORIA E KTHIMIT TË PRONËS

A) PRANIMI E VLERËSIMI PARAPRAK I KËRKESAVE

A) PRANIMI I KËRKESAVE
Pyetje: Cfarë do të thotë pranimi i kërkesave?
Përgjigje: Pranimi i kërkesave të subjekteve të shpronësuar nënkupton verifikimin e plotësimit të një dosje apo pretendimi për njohjen/kthimin/kompensimin e një prone të caktuar me të gjithë dokumentacionin formal ligjor dhe hartografik që kërkohet nga aktet nënligjore të dala në zbatim të ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronës". Vetëm pasi një dosje/kërkesë, vlerësohet paraprakisht e plotë nga ana formale, ajo futet në trajtim të mirëfilltë në sektorët e shqyrtimit përkatës në AKKP.

Pyetje: Ç'farë dokumentacioni duhet të paraqesim për të hapur dosje për njohje, kthim apo kompensim të pronës?

Përgjigje: Në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 255, dt. 13.04.2010 "Për proçedurat e mbledhjes, të përpunimit dhe administrimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara gjatë proçesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës" subjektet e shpronësuara (trashëgimtarët apo përfaqësuesi me prokurë i tyre) paraqesin pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë (përveç kërkesës së motivuar për njohjen, kthimin apo kompensimin e pronës) dokumentacionin e nevojshëm, me të cilin provojnë pretendimet e tyre:

I.

· Kërkesë sipas formularit TIP (për subjektet që depozitojnë kërkesa të reja sipas vendimit të gjykatës për rivendosje në afat)
· Mandat pagese për shqyrtimin e kërkesës (për subjektet që depozitojnë kërkesa të reja)
· Kerkesat nënshkruhen nga subjekti i shpronësuar apo nga përfaqësuesi me prokurë.
· Dëshmi trashëgimie, në rast se subjekti i shpronësuar ka vdekur. Në çdo rast subjektet kërkuese duhet të provojnë interesin e ligjshëm në kërkimin e tyre për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronës.
· Dokument identifikimi i subjektit të shpronësuar apo perfaqësuesit me prokurë.

II.

· Dokument ligjor që vërteton pronësinë e subjektit të shpronesuar që mund të jetë njëri nga të poshtëshënuarit (me perjashtim te pikes c):

A -Vertetim pronësie, i shoqëruar me një kopje të fletës përkatëse të regjistrit hipotekor lëshuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme per efekt te kthimit dhe kompensimit te prones.
B - Dokumentin kadastral, shoqëruar me një kopje të fletës përkatëse të regjistrit kadastral nga zyra e administrimit dhe mbrojtjes se tokes ne qark.
C - Vendim gjyqesor i formës së prerë së bashku me hartën e pasurisë të vulosura me vulën e gjykates dhe të shoqëruar me akt ekspertimin përkatës, në rast se gjatë gjykimit të çështjes është kryer një i tillë.
AKKP nuk do të trajtojë me vendim asnjë kërkesë që mbështetet vetëm ne nje vendim gjyqesor te vertetimit te faktit juridik te prones mbi pasuritë e paluajtshme, në kuptim te nenit 388 të Kodit te Procedurës Civile bazuar në nenin 17 pika 3 të ligjit nr. 9235 dt.29.07.2004, të ndryshuar.
Ç - Vendimet e mëparshme te ish-K.K.K.P te marra sipas ligjeve:
Nr.7698, dt.15.04.1993,ose Nr. 7699, dt.21.04.1993,dhe Nr. 9235, dt.29.07.2004, të cilat janë marre para hyrjes ne fuqi te ligjit 9583, dt.17.07.2006, të ndryshuar.
D - Dokument që vërteton shpronësimin, shtetëzimin apo konfiskimin e pronës së subjektit të shpronësuar, sipas akteve ligjore e nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.1944 ; apo dokumenti për pasuritë e paluajtshme të shtetasve shqiptarë të krijuara para datës 7 prill 1939, të cilat janë sekuestruar sipas nenit 14 të ligjit nr. 37, datë 13.01.1945 « Ligja e tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës».
E - Dokument i lëshuar nga Arkiva e Shtetit në rastet kur dokumentet hipotekore apo kadastrale apo te shpronesimit jane të depozituara tek ky institucion apo çdo dokument tjetër i lëshuar nga insititucionet shtetërore që kanë vlerë provuese për hetimin administrativ të çështjes.
F - Dokument lëshuar nga arkiva hipotekore që ndodhen pranë Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si dhe çdo dokuemnt tjetër ligjor i nevojshëm për zgjidhjen e drejtë të çështjes.

Dokument hartografik për pozicionimin gjeografik të pronës, i cili sipas rastit përbëhet:

1. Dokument hartografik të mëparshëm, që i takon kohës nga fitimi i të drejtës së pronësisë deri në marrjen e padrejtë të pronës nga shteti, i cili sigurohet:

a - Ministria përgjegjëse për punët publike e cila ka në varësi arkivin qendror teknik dhe degët e tij në rrethe ose nga Instituti Gjeografik Ushtarak,
b - Departamenti i shërbimit të tokës dhe ujit (ish-Instituti i Studimit te Tokave F.Krujë),
c – Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave,
ç - Drejtoria e Shërbimit Pyjor (arkivi i kadastrës pyjore)
d - Bashkia/Qarku (arkivi hartografik i urbanistikes)
e - Këshilli i qarkut (zyra e administrimit dhe mbrojtjes se tokes)
f – çdo institucion tjetër shtetëror që disponon të dhëna për vendodhjen e pronave.

 2. Dokument hartografik aktual i cili përmban të dhëna topografike mbi pronën e pretenduar, i konfirmuar nga institucioni që e lëshon atë dhe që sigurohet nga:

a - Z.V.R.P.P për të gjitha zonat urbane dhe rurale ku është kryer apo ka përfunduar regjistrimi.
b - Drejtoria e sherbimit pyjor per pyjet dhe kullotat,dhe tokat e tjera jobujqesore.
c - Zyra e administrimit dhe mbrojtjes së tokës për tokat bujqësore të paregjistruara dhe tokat e tjera jobujqësore.
d - Njësitë e legalizimit pranë organeve të qeverisjes vendore apo ALUIZNI të krijuara sipas ligjit nr. 9482, dt.16.02.2006 "Për legalizimin,urbanizimin dhe integrimin e ndertimeve pa leje", të ndryshuar.

Pyetje: A duhet të paguaj për hapjen e dosjes për njohje, kthim apo kompensim të pronës?

Përgjigje:

Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 255, datë 13.04.2010 «Për procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të akteve të subjekteve të shpronësuara, gjatë procesit te njohjes dhe kthimit apo kompesimit te pronës», seksioni II, pika 7, 8 e 10; si dhe Urdhërit të përbashket të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave nr. 8867/2, datë 28.12.2006, subjekti paraqitet pranë AKKP-së, Tiranë, tërheqë faturën për arkëtim të Miratuar nga Ministria e Financave dhe kryen pagesën në vlerën 3.000 (tre mijë) lekë.

Kjo pagesë kryhet pasi subjekti plotëson dokumentacionit ligjor dhe hartografik, në zbatim të Ligjit Nr. 9235, datë 29.07.2004 "Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës", të ndryshuar dhe të VKM-së Nr. 255, datë 13.04.2010 “Për procedurat e mbledhjes, të përpunimit e administrimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara gjatë procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës”. Në momentin e kryerjes së pagesës, praktika merr cilësinë e dosjes dhe nga kjo fazë fillon procesi i shqyrtimit të dosjes.

Pyetje: Sa kohë qëndron dosja ime në këtë sektor?

Përgjigje: Dosja/kërkesa qëndron në këtë sektor deri në plotësimin e plotë të dokumentacionit ligjor dhe teknik të kërkuar, por gjithsesi jo më shumë se 30 ditë nga dita kur subjekti titullar i dosjes ka marrë dijeni me mangësitë e saj. Në rast të mosplotësimit të dokumentacionit të kërkuar brenda afatit të sipërcituar, Sektori i Vlerësimit Paraprak propozon marrjen e një vendimi për rrëzimin e kërkesës.

Pyetje: Pasi kam plotësuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar, cfarë bëhet me dosjen time?

Përgjigje: Në këto raste dosja kalon për shqyrtim të mirëfilltë në sektorin e shqyrtimit përkatës në Drejtorinë e Kthimit të Pronës në AKKP nga ku merret edhe vendimi përfundimtar për cështjen në fjalë.

Pyetje: Jo për fajin tim nuk po arrij të plotësoj dokumentacionin ligjor e teknik të kërkuar brenda afatit ligjor. Si duhet të veproj?

Përgjigje: Në këto raste ju mund të kërkoni nëpërmjet një kërkese me shkrim që AKKP të pezullojë shqyrtimin e kërkesë/dosjes tuaj. Kujdes! Pezullimi nuk mund të zgjasë pafundësisht.

Pyetje: Kam aplikuar pranë Zyrës Rajonale të AKKP-së në vitin 2008. Nga ajo kohe e deri me tani nuk kam marre asnje pergjigje në lidhje me dosjen.Ku mund të marr informacionin e duhur?

Përgjigje: Me suprimimin e zyrave rajonale të gjitha dosjet/kërkesat e patrajtuara nga ato zyra janë transferuar dhe do të trajtohen nga AKKP Tiranë sipas rendit kronologjik duke filluar nga kërkesa/dosja më e vjetër në kohë. Në këto kushte, informacion të saktë për gjendjen e kërkesës/dosjes tuaj mund të merrni me anë të një kërkese në sektorin e Marrëdhënieve me Publikun në AKKP.

Pyetje: Kur do të trajtohet cështja ime e pronësisë dhe cfare procedure duhet te ndjek per realizimin e saj?

Përgjigje: Te gjitha dosjet e mbartura nga ish-ZRKKP në Qarqe, do te trajtohen me vendim nga nga kjo e fundit, brenda afatit ligjor të përcaktuar ne ligjin nr. 9235/2004, i ndryshuar. Referuar parashikimeve ligjore te VKM nr.255/2010 të gjitha dosjet të cilat nuk janë përmbyllur me një vendim përfundimtar nga ish-ZRKKP në Qarqe, do të tërhiqen për shqyrtim sipas rendit kronologjik te hapjes së tyre, obligim ligjor i cili buron nga VKM nr.255/2010.

Pyetje: Dosjet/kërkesat e reja (pa vendim) të cilat ndodhen ende në arkivën e AKKP dhe që do të shqyrtohen përse nuk dalin në trajtim?

Përgjigje: Dosjet/kërkesat pa vendim të cilat pas transferimit nga ish-zyrat rajonale janë depozituar në AKKP dalin në trajtim pjesë-pjesë sipas urdhërave periodikë të Drejtorit të Përgjithshëm. Ato nuk mund të futen në trajtim njëkohësisht për shkak të pamundësisë fizike të institucionit për ti shqyrtuar të gjitha në të njëjtën kohë.

Pyetje: A ka ndonjë liste të evidentuar për këtë dhe kur vjen rradha e shqyrtimit të kërkesës time?

Përgjigje: Ka lista periodike të dosjeve që dalin në trajtim respektivisht në Sektorin e Vlerësimit Paraprak, kur është një dosje/kërkesë e re (pa vendim) dhe drejtëpërdrejtë në Sektorët përkatës të Shqyrtimit, kur dosja/kërkesa është shqyrtuar më parë nga ish-zyra rajonale, por vendimi i marrë nga ajo zyrë është shfuqizuar dhe cështja është kthyer për rishqyrtim nga AKKP.

B. PYETJET NGA SEKTORI I MARRDHËNIVE ME PUBLIKUN

Pyetje: Kam siguruar nga Arkiva e Shtetit dokumenta ligjore të cilët pasqyrojnë të dhëna të plota pronësie në emër të trashëgimlënësit tim. Çfarë duhet të bëj që të trajtohem në bazë të ligjit nr.9235/2004, pasi nuk kam aplikuar asnjëherë pranë AKKP-së?

Përgjigje: Në rast se subjekti nuk ka hapur dosje pranë AKKP-së, ai nuk mund ti drejtohet drejtpërdrejt këtij institucioni, pasi afati perfundimtar për depozitimin e kërkesave pranë AKKP-së, ka qënë data 31.12.2008. Pas kalimit të ketij afati, subjektet duhet t'i drejtohen gjykatës për t'u rivendosur në afat.

Pyetje: Si mund të hapim një dosje të re për trajtimin dhe fitimin e pronësisë së trashëguar?

Përgjigje: Në referim të nenit 17 pika 1 të ligjit nr. 9235/2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", i ndryshuar, subjektet e shpronësuara, për fitimin e të drejtave të parashikuara nga ky ligj, kishin të drejtë të depozitoin kërkesa të reja deri në datën 31 dhjetor 2008. Në rast se për shkaqe të përligjura nuk keni arritur të depozitoni kërkesë, ju keni të drejtë të rivendosni afatin nëpërmjet gjykatës.Në këto raste vetëm pasi të paraqitni këkesën me shkrim, vendimin e gjykatës për rivendosjen e afatit dhe të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për vërtetimin e të drejtës së pronësisë sipas VKM nr.255/2010.

Pyetje: Dosja ime ende nuk ka dalë në trajtim, ndërkohë kam siguruar nga institucione të ndryshme dokumenta ligjorë të cilët pasqyrojnë të dhena te plota pronesie të cilat duhet të jenë në dosjen time. Si mund të veproj?

Përgjigje: Në këto raste ju mund ti paraqitni të gjithë dokumentacionin që konsideroni se duhet të jetë në dosjen tuaj në original ose në kopje të njësuar me origjinalin të shoqëruar me një kërkesë ku të specifikoni numrin e saktë të dosjes ku doni të fusni dokumentet, emrin e subjektit (pronarit) apo të kërkuesit si dhe qarkun në juridiksionin e të cilit është kërkesa/prona e pretenduar.

Pyetje: Dosja ime është e trajtuar me vendim, ndërkohë kam dokumenta të cilët dua t'i depozitoj në dosjen time. Si mund të veproj?

Përgjigje: Në këto raste, dosja juaj konsiderohet përfundimisht e mbyllur dhe e arkivuar, cka do të thotë që Ju nuk mund të depozitoni asnjë dokumentacion tjetër në të.

Pyetje: A mundet të marr informacion për ecurinë e një dosjeje (dosjeve) dhe cila është procedura?

Përgjigje: Në mbështetje të neneve 44, 45, 66 dhe 68 të ligjit nr. 8485, datë 12.05.1999 "Kodi i procedurave administrative" të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, AKKP mund të trajtojë kërkesën tuaj, pasi të jetë shoqëruar me prokurë përfaqësimi ose dëshmi trashëgimie, dokument identifikimi dhe çdo dokument tjetër të nevojshëm për të provuar interesin tuaj të ligjshëm në cilësinë e personit të interesuar në këtë kërkim.
Dokumentacioni i nevojshëm për të provuar interesin tuaj të ligjshëm, duhet të jetë origjinal ose i njesuar me origjinalin.

Pyetje: Ku mund të kërkoj informacion mbi ecurinë e zhvillimin të dosjes për shqyrtim?

Përgjigje: Çdo person i cili provon se ka një interes të ligjshëm në një procedim administrativ nëpërmjet paraqitjes së një kërkese me shkrim mund të marrë informacion lidhur me gjendjen e dosjes përkatëse apo e curinë e procedimit administrativ.

Pyetje: Si mund te pajisem me informacion me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi që rregullojnë cështjet e pronësisë?

Përgjigje: Ligjin nr. 9235/2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës" të konsoliduar me të gjitha dryshimet ligjore si dhe të gjithë aktet nënligjore të dala në zbatim të tij ju mund ti konsultoni dhe ti shkarkoni drejtpërdrejt nga faqja zyrtare e AKKP-së (www.akkp.gov.al) ose pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Publikun të kësaj Agjencie.


 

Lexuar 6483 herë
Më shumë në këtë kategori: « Historiku Struktura »