VENDIM
Nr.200, datë 19.2.2009 i ndryshuar
Për përcaktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim, për llogari të fondit të kompensimit financiar
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, pika 3, e 23, pika 1, të ligjit nr.9235,datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, dhe të neneve 24, shkronja “c”, e 56 të ligjit nr.7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
I. Autoriteti shtetëror i autorizuar për tjetërsimin e oborreve në përdorim
1. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ngarkohet të tjetërsojë, në pronësi të pronarëve të ndërtimeve, oborret në përdorim, sipas kushteve e procedurave, të përcaktuara në këtë vendim.
2. Për efekte të zbatimit të këtij vendimi, me termin “Oborr në përdorim” do të kuptohet sipërfaqja e tokës, në pronësi shtetërore, në funksion të një ndërtimi të ligjshëm për qëllime banimi, në posedim, të qetë dhe pa ndërprerje, të pronarit të ndërtimit. Kjo sipërfaqe toke përfshin tokën nën ndërtim dhe, sipas rastit, edhe tokën rreth saj. Kjo sipërfaqe toke duhet të rezultojë fizikisht, e lirë dhe e pazënë nga ndërtime pa leje, sipas kuadrit ligjor përkatës.
II. Kushtet për tjetërsim
1. Oborret në përdorim tjetërsohen, sipas këtij vendimi, nëse:
a) Brenda tyre ose në lidhje funksionale me to gjendet ndërtim:
i) i regjistruar në regjistrat e ZRPP-së, në pronësi të kërkuesit;
ii) i ngritur para datës 10.8.1991.
b) janë në pronësi të shtetit, ndonëse të paregjistruara si të tilla, por të patransferuara në inventarin e pronave të organeve të qeverisjes vendore, në përputhje me ligjin nr.8744, datë 22.2.2001 “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar.
2. Oborret në përdorim tjetërsohen, sipas këtij vendimi:
i) pa kundërshpërblim, në rastin kur e drejta e pronësisë mbi këto sipërfaqe është hequr pa kompensim, për shkak të ligjeve të kohës;
ii) me kundërshpërblim, në rastet e tjera. Në këto raste, çmimi do të përcaktohet sipas aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Oborret në përdorim, që do të tjetërsohen sipas këtij vendimi, nuk duhet të kenë qenë më parë objekt kthimi nga AKKP-ja ose ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave.
4. Nuk janë objekt shqyrtimi nga AKKP-ja, sipas këtij vendimi, oborret në përdorim, brenda të cilave ose në lidhje funksionale me to gjendet vetëm ndërtim informal. Ato do të trajtohen në përputhje me aktet ligjore e nënligjore, në fuqi.
III. Paraqitja e kërkesës dhe e akteve provuese
1. Kërkesa plotësohet sipas formularit tip, të miratuar nga ministri i Drejtësisë, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së. Formulari tip përmban një paralajmërim që ngarkon me përgjegjësi, sipas ligjit, subjektin kërkues në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo të depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar.
2. Ajo paraqitet nga kërkuesi pranë AKKP-së, drejtpërdrejt ose nëpërmjet postës rekomande.
3. Bashkë me kërkesën duhet të paraqiten:
a) Dokumenti për të drejtën e pronësisë së kërkuesit mbi ndërtimin, që gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, i lëshuar nga ZRPP-ja;
b) Genplani i oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, i hartuar nga një topograf i licencuar;
c) Dokumenti me të dhënat për gjendjen juridike të oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, i lëshuar nga ZRPP-ja. Me anë të këtij dokumenti provohet se oborri në përdorim është në pronësi të shtetit, ndonëse i paregjistruar, dhe se nuk bën pjesë në inventarin e pronave të paluajtshme të qeverisjes vendore;
ç) Dokumentet, që provojnë faktin se ndërtimi, i cili gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, është kryer përpara datës 10.8.1991. Këto dokumente mund të jenë një leje ndërtimi, e lëshuar nga organi përgjegjës i kohës, një akt zyrtar, i lëshuar nga arkivi teknik i ndërtimit, një akt, i nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, vendimi gjyqësor, për vërtetimin e faktit të ndërtimit dhe të kohës së ndërtimit, aktnjoftimi përkatës ose dokumente zyrtare, të lëshuara nga organet e pushtetit vendor (lagjja ose rrethi), brenda kompetencave të tyre;
d) Dokumentin, që provon pronësinë e mëparshme mbi oborrin në përdorim, që, për shkak të ligjeve të kohës, i ka kaluar në përdorim, pa kundërshpërblim, nëse kërkuesi aplikon për tjetërsimin e tij pa kundërshpërblim.
4. Me paraqitjen e kërkesës paguhet edhe tarifa e shërbimit, niveli i i së cilës përcaktohet me urdhër të pbarëshkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave.
IV. Procedura e shqyrtimit të kërkesës
1. AKKP-ja, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, por jo më vonë se tre muaj nga data e paqaritjes së kërkesës e të dokumentacionit nga kërkuesi, shqyrton dhe jep vendim për të. AKKP-ja verifkon dhe përcakton, nëse kërkesa e dokumentacioni shoqërues përbmushin kushtet e përcaktuara në ndarjen II, të këtij vendimi, si dhe saktëson kufijtë e oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet.
2. Verifikimi i kushteve bëhet në bazë të dokumentacionit provues, të paraqitur nga kërkuesi, dhe nëpërmjet inspektimit në terren, nga ana e punonjësve të AKKP-së. Në rast se nga inspektimi në terren lindin dyshime për vërtetësinë e dokumenteve zyrtare, që shoqërojnë kërkesën, AKKP-ja u kërkon organeve, që i kanë lëshuar dokumentet, të ripohojnë vërtetësinë e tyre. Korrespondenca bëhet pjesë e dosjes.
3. Saktësimi i kufijve kryhet nëpërmjet matjeve në terren, nëse dokumentacioni teknik ligjor, i paraqitur nga kërkuesi, nuk i përmban kufijtë, ose nëse nga krahasimi i dokumentacionit të paraqitur me rezultatet e inspektimit në terren ka mospërputhje. Në këtë rast, AKKP-ja u referohet masave të sipërfaqeve, të përcaktuar në aneksin nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, por gjithmonë duke respektuar kufijtë natyrorë ekzistues.
4. Në përfundim të shqyrtimit AKKP-ja harton vlerësimin ligjor.
5. Vlerësimi ligjor duhet të përmbajë:
a) Të dhënat identifikuese të kërkuesit dhe të oborrit në përdorim, të pretenduar;
b) b) Analizën për përmbushjen ose jo të secilës prej kushteve për tjetërsim, të përcaktuara në ndarjen II, të këtij vendimi, dokumentet mbi të cilat bazohet kjo analizë, si dhe veprimet procedurale, hetimore dhe verifikuese, të kryera;
c) Të dhënat e sakta për kufijtë dhe masën në m2 të oborrit në përdorim;
d) Vlerën nëse tjetërsimi duhet kryer me kundërshpërblim, sipas aneksit 2, që i bashlëlidhet këtij vendimi;
e) Propozimin për pranimin ose jo të kërkesës, duke treguar referencën në ligji dhe në aktet nënligjore.
Vlerësimi ligjor shoqërohet, në çdo rast, me planvendosjen përkatëse.
6. Në përfundim, AKKP-ja, njofton kërkuesin, sipas rastit, për:
a) Të drejtën e tjetërsimit me shpërblim dhe detyrimin për të paguar brenda 30 ditëve, për llogari të AKKP-së, për fondin e kompensimit financiar, çmimin e tjetërsimit, duke i treguar edhe numrin e llogarisë. Ky njoftim përmban një paraqitje të kufijve, të sipërfaqes në m2 dhe të vendnndodhjes së oborrit në përdorim, të shoqëruar me planimetrinë përkatëse.
b) Të drejtën e tjetërsimit pa kundërshpërblim, duke i treguar kërkuesit kufijtë, sipërfaqen në m2 dhe vendndodhjen e oborit në përdorim, shoqëruar me planvendosjen përkatëse.
c) Mospranimin e kërkesës për tjetërsim, duke arsyetuar, me shkrim, në mënyrë të hollësishme kushtet, e përcaktuara në ndarjen II të këtij vendimi, që nuk plotësohen apo provohen.
7. Kërkuesi, me marrjen e njoftimit për të drejtën e tjetërsimit me shpërblim, paguan, në numrin e llogarisë së caktuar nga AKKP-ja, për llogari të fondit të kompensimit të pronave, të krijuar sipas pikës 1 nenit 23 të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, kundërvlerën në lekë, të sipërfaqes, që do të tjetërsohet në pronësi të tij. Kjo pagesë bëhet jo më vonë se 30 ditë nga data e marrjes së njoftimit prej AKKP-së. Shkelja e këtij afati përbën shkak për mospranimin, nga AKKP-ja, të kërkesës për tjetërsim.
V. Vendimi i tjetërsimit
1. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vendos kalimin e pronësisë së oborrit në përdorim brenda 10 ditëve nga data e mbërritjes së mandatit, që vërteton pagimin e vlerës, në rastin e tjetërsimit me kundërshpërblim.
2. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vendos kalimin e pronësisë së oborrit në përdorim brenda 10 ditëve nga data e njoftimit të kërkuesit për të drejtën e tjetërsimit pa kundërshpërblim.
3. Forma e vendimit përcaktohet sipas modeleve, të paraqitura në aneksin 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Vendimi i Drejtorit të Përgjithshëm i njoftohet kërkuesit dhe ZRPP-së për regjistrin.
VI. Dispozita të fundit
1. Vendimi nr.541, datë 22.8.2007 i Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave të kalimit në pronësi të trojeve, mbi të cilat janë bërë ndërtime të ligjshme, para datës 10.8.1991 dhe të sipërfaqeve, në dokumentin e pronësisë, për të cilat është bërë shënimi “Oborr në përdorim””, shfuqizohet.
2. Në rastin e kërkesave të paraqitura pranë AKKP-së, në mbështetje të vendimit të sipërpërmendur, dhe për të cilat AKKP-ja nuk ka dhënë ende vendim, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kërkuesit duhet të pohojnë vullnetin e tyre, nëpërmjet një kërkese të re, për tjetërsim, të shoqëruar me dokumentet, që nuk i kanë paraqitura, apo nëpërmjet tërheqjes me shkrim të kërkesës së parë. Në rast të tërheqjes së kërkesës, AKKP-ja vendos mospranimin e saj, për këtë shkak.
3. Në rast se AKKP-ja ka vendosur mospranimin e kërkesës për tjetërsim, në mbështetje të vendimit nr.541 datë 22.8.2007 të Këshillit të Ministrave, për shkak të mospagimit të çmimit nga kërkuesi, atëhere kërkuesi mund t’i drejtohet AKKP-së me kërkesë të re, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi.
4. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Kryeministri
Sali Berisha
Aneksi nr 1
Masat e sipërfaqeve të ndërtimeve dhe oborreve në përdorim sipas periudhave
|
Periudha |
Sipërfaqja (Tokë/truall) në m2 |
Referenca ligjore |
|
Deri në datën 16.8.1961 |
Deri në 500 |
Neni 4 i VKM nr.185/1956 dhe Neni 1 i UKM 11/1957 |
|
Nga data 16.8.1961 deri në 22.7.1978 |
150 - 200 |
Neni 31 i VKM 282/1961 Neni 1 i dekretit 4824/1971 |
|
Nga data 22.7.1978 deri në 8.1.1986 |
- Deri në 200 m2 në fshatrat fushore - Deri në 300 m2 në fshatrat kodrinore e malore - 140 -170 m2 në qytete |
Neni 10 i dekretit 5747/1978 |
|
Nga data 8.1.1986 deri në 10.8.1991 |
- Deri në 200 m2 në fshatrat fushore - Deri në 250 m2 në fshatrat kodrinore - Deri në 300 m2 në fshatrat malore - Deri në 150 m2 në qytete |
Neni 6 i dekretit 7011/1985 |
Aneksi nr.2
Çmimet e oborreve në përdorim
| Për sipërfaqe deri në 100 m2 | 200 mijë lekë |
| Për sipërfaqe deri në 101 m2 deri në 200 m2 | 300 mijë lekë |
| Për sipërfaqe deri në 201 m2 deri në 300 m2 | 400 mijë lekë |
| Për sipërfaqe deri në 301 m2 deri në 400 m2 | 500 mijë lekë |
| Për sipërfaqe deri në 401 m2 deri në 500 m2 | 600 mijë lekë |
Shkarko formularin: Formular per oborret.
