LIGJ

Nr.9684, datë 6.2.2007
Për
DISA NDRYSHIME E SHTESA NË LIGJIN NR.9235...

 

Home | Struktura | Ligje | Rreth nesh | Kontakti

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI


L I G J
Nr. 9235, datë 29.7.2004

VENDIM

Nr.566, Datë 23.08.2006
Për
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË ...

VENDIM

Nr.758, datë 16.11.2006
Për
MIRATIMIN E PROCEDURAVE TË SHPËRNDARJES SË FONDIT TË ...

VENDIM

Nr. 747, datë 09.11.2006
Për
PROCEDURAT E MBLEDHJES, TË PËRPUNIMIT DHE ...

VENDIM

Nr.51, datë 07.02.2007
Për
MIRATIMIN E MODELEVE TË VENDIMEVE...

VENDIM

Nr.52, datë 07.02.2007
Për
PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE TË AFATEVE...

VENDIM

Nr. 1343, datë 04.06.2008 Për
MIRATIMIN E PROCEDURAVE TË SHPËRNDARJES SË FONDIT TË ..

V E N D I M
Nr. 12 date 07.01.2009
PER
KUSHTET DHE PROCEDUREN E TJETERSIMIT TË ...

VENDIM
Nr.200, datë 19.2.2009

Për përcaktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim...

VENDIM
Nr.  487, datë 6.5.2009

Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, të pronarëve, në të holla, për vitin 2009

 

 

 

PËR KTHIMIN DHE KOMPENSIMIN E PRONËS

Ndryshuar me Ligjin Nr. 9388, datë 4.5.2005 dhe Ligjin Nr.9583, datë 17.7.2006

Në mbështetje të neneve 41, 78, 83 pika 1 dhe 181 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,

K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti i ligjit

Ky ligj ka për objekt:
a) rregullimin e drejtë, sipas kritereve të nenit 41 të Kushtetutës, të çështjeve të së drejtës së pronësisë që kanë lindur nga shpronësimet, shtetëzimet ose konfiskimet;
b) kthimin dhe, aty ku sipas këtij ligji kthimi i pronës është i pamundur, kompensimin e saj;
c) procedurat për realizimin e kthimit dhe kompensimit të pronave, si dhe organet administrative të ngarkuara për realizimin e tyre.

Neni 2
E drejta e pronësisë

Çdo subjekt i shpronësuar ka të drejtë të kërkojë, në përputhje me këtë ligj, të drejtën e pronësisë, në rast se i është hequr sipas akteve ligjore, nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose të marrë me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti nga data 29.11.1944, si dhe kthimin ose kompensimin e pronës.
Fusha e veprimit të këtij ligji shtrihet edhe për pasuritë e paluajtshme të shtetasve shqiptarë, të krijuara përpara datës 7 prill 1939 dhe që janë sekuestruar sipas nenit 14 të ligjit nr.37, datë 13.1.1945 “Ligja e tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”.

Neni 3
Përkufizime

Në zbatim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Kompensim” nënkupton shpërblimin e drejtë, sipas vlerës së tregut në momentin e njohjes së shpërblimit, të kryer sipas këtij ligji;
2. “Pronë” nënkupton një send të paluajtshëm, sipas përcaktimit në Kodin Civil;
3. “Subjekt i shpronësuar” nënkupton personat juridikë ose fizikë apo trashëgimtarët e tyre, prona e të cilëve është shtetëzuar, shpronësuar, konfiskuar ose e marrë me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti;
4. “Tjetërsim" nënkupton kalimin e pronësisë ose kalimin e të drejtave të tjera reale nga një person fizik ose juridik te një tjetër, sipas Kodit Civil;
5. “Truall” nënkupton tokën që ndodhet brenda vijave kufizuese të qyteteve e qendrave të banuara në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kur qendra e banuar nuk ka vijë kufizuese, truall do të jetë sipërfaqja e tokës që zë objekti i ndërtuar mbi të dhe oborri funksional. Sipërfaqja e këtij të fundit llogaritet sa trefishi i sipërfaqes së objektit, por jo më shumë se 500 metra katrorë.
6. "Truall industrial” nënkupton sipërfaqen e tokës që ndodhet jashtë vijave kufizuese të qyteteve dhe qendrave të banuara, mbi të cilin janë ngritur objekte të përhershme ndërtimore për qëllime ekonomike ose që u shërbejnë funksionit të tyre.

Neni 4
Përjashtimet nga ky ligj

Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen:
a) për pronat e përfituara si rezultat i zbatimit të ligjit nr.108, datë 29.8.1945 “Për Reformën Agrare”, me ndryshimet e mëvonshme;
b) për shpronësimet kundrejt një shpërblimi të drejtë dhe që përdoren për interesa publikë;
c) për pronat që i janë dhuruar shtetit, veprim për të cilin ka dokumente zyrtare.

Neni 5
Prona e luajtshme

Kthimi dhe kompensimi i pronës së luajtshme kryhet me ligj të veçantë.

KREU II
NJOHJA E SË DREJTËS SË PRONËSISË DHE KTHIMI I PRONËS

Neni 6
Njohja e së drejtës së pronësisë dhe kthimi i pronës

1. Subjekteve të shpronësuara u njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen pa kufizim pronat e paluajtshme, me përjashtim të tokës bujqësore, e cila kthehet ose kompensohet deri në 100 ha, në rast se subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) nuk kanë përfituar nga zbatimi i ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”.
1/a. Kur subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) kanë përfituar tokë nga zbatimi i ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, atëherë sipërfaqja që kthehet apo kompensohet, sipas këtij ligji, llogaritet si diferencë ndërmjet pjesës, që do t'i takonte në kushtet e mospërfitimit nga zbatimi i ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, me sipërfaqen, që secili prej tyre ka përfituar nga zbatimi i këtij ligji.
1/b. U njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen subjekteve të shpronësuara, sipas kritereve të këtij ligji, edhe pasuritë e paluajtshme, toka me vendndodhje brenda territoreve turistike, sipas ligjit nr.7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”, të ndryshuar.
1/c. Subjekteve të shpronësuara u kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara nga Presidenti i Republikës dhe tokat bujqësore të përfshira në veprimtaritë eksperimentale-shkencore të instituteve kërkimore-shkencore dhe në çdo veprimtari tjetër të institucioneve të ndryshme shtetërore, por që janë jashtë destinacionit të veprimtarisë së tyre.
1/ç. Në rastet kur në pronën e marrë me qira është ndryshuar destinacioni i objekteve të ndërtuara, për të cilën është rënë dakord për t’i përdorur për veprimtari të stimuluara, toka quhet e pazënë dhe i kthehet subjektit të shpronësuar.
Kur investimi është kryer mbi një tokë pronë publike, subjekti kontraktues i paguan shtetit brenda 6 muajve vlerën e truallit me çmimin e tregut. Të ardhurat e realizuara nga shitja përfshihen në fondin e kompensimit të pronave.
2. Subjektet e shpronësuara, pronat e të cilave janë përmbytur nga ndërtimi i hidrocentraleve, trajtohen sipas dispozitave të këtij ligji, me përjashtim të rasteve kur kanë përfituar sipas ligjit “Për shpronësimet për interes publik”. Toka do të vlerësohet si truall industrial.
3. Subjektet e shpronësuara dhe të kompensuara sipas ligjeve në fuqi kanë të drejtën e përfitimit nga ky ligj vetëm për pjesën e pronës së pakthyer ose të pakompensuar.

Neni 6/1

Pemëtaritë dhe vreshtat, pronë e subjekteve të shpronësuara, tokat e të cilave nuk janë regjistruar si toka bujqësore, do të konsiderohen si të tilla për qëllimet e kompensimit sipas këtij ligji.
Pas verifikimit të pronësisë së tyre, ato do të konvertohen si toka bujqësore, mbi bazën e koeficentit që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave.

Neni 7
Pronat që nuk kthehen

1. Nuk kthehen pronat e paluajtshme, që i shërbejnë një interesi publik dhe ato që:
a) shërbejnë për realizimin e detyrimeve të shtetit shqiptar, që rrjedhin nga traktatet dhe konventat, në të cilat shteti ynë është palë;
b) janë të zëna sipas akteve ligjore, paraqitur në shtojcën 1 të ligjit.
2. Në rast se pronat e paluajtshme, që përfshihen në pikën 1 të këtij neni, propozohen të tjetërsohen, ato u kalojnë subjekteve të shpronësuara kur këto nuk janë kompensuar.
3. Pronat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni kompensohen sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.

Neni 7/1
Prona të kthyera që i shërbejnë interesit publik

1. Në të gjitha rastet kur marrëveshjet ndërkombëtare, planet e përgjithshme të zhvillimit urbanistik apo planet e zhvillimit ekonomik ose të turizmit parashikojnë, në pronat e kthyera sipas këtij ligji, ngritjen dhe zhvillimin e projekteve të investimit, në ekonomi a infrastrukturë, infrastukturën turistike, vepra ujore, energjetikë etj. nga shteti ose të tretë, në shërbim apo në interes publik, subjektet e shpronësuara dhe zhvilluesi i interesuar për investim, në varësi të formës juridike ku mbështetet zhvillimi i projektit, mund të hyjnë në marrëdhënie kontraktore, me qëllim realizimin e investimit.
2. Kur subjektet e shpronësuara dhe zhvilluesit e investimit nuk përfundojnë brenda një afati normal negociatash nënshkrimin e marrëveshjeve respektive të kalimit apo posedimit të ligjshëm të pasurisë, Këshilli i Ministrave, sipas legjislacionit në fuqi, vendos kompensimin e subjektit të shpronësuar, sipas çmimit të tregut për sipërfaqet ku do të zhvillohet projekti.
Subjekti i shpronësuar dhe zhvilluesi i investimit i zhvillojnë negociatat, sipas paragrafit të parë të kësaj pike, në kushtet e tregut.

Neni 8
Trualli

1. Në rastin kur trualli u është tjetërsuar personave të tretë dhe mbi të nuk janë ngritur ndërtesa të përhershme dhe të ligjshme, ai u kthehet subjekteve të shpronësuara, ndërsa shteti u kthen të tretëve vlerën, sipas çmimit të blerjes të shumëzuar me indeksin e rritjes së çmimeve.
2. shfuqizuar.
3. Në rastet e ndërtimeve mbi truall, të bëra para datës 10.8.1991, për të cilat nuk është regjistruar pronësia e truallit, ai që ka në pronësi ndërtesën detyrohet të paguajë vlerën fillestare të truallit, sipas nenit 10 të ligjit nr.7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore” të shumëzuar me indeksin e rritjes së çmimeve.
4. shfuqizuar.

Neni 8/1
Trualli i zënë me ndërtime në pronësi të shtetit

1. Në ndryshim nga formulimi i nenit 7 u kthehet apo u kompensohet subjekteve të shpronësuara trualli privat, mbi të cilin janë ngritur ndërtime të përhershme dhe të ligjshme në pronësi të pronarit shtet, sipas rastit:
a) Kur ndërtesat në pronësi të pronarit shtet nuk përdoren më për interes publik, trualli i kthehet subjektit të shpronësuar, duke i njohur atij të drejtën e parablerjes së objektit në privatizim. Deri në privatizimin e objektit, sipas këtij ligji, shteti detyrohet t’i paguajë subjektit të shpronësuar çmimin e qirasë për truallin që ka në posedim, sipas tarifave që aplikon për dhënien me qira të trojeve shtetërore të tretëve.
b) Kur ndërtesat në pronësi të pronarit shtet janë në përdorim të të tretëve, në bazë të një kontrate qiraje, koncesioni ose enfiteoze mbi truallin ku ngrihet ndërtesa apo vetë ndërtesën, veprohet:
i) kur investimi i kryer është mbi 150 për qind të vlerës së truallit, subjekti kontraktues i paguan shtetit, brenda 6 muajve, vlerën e truallit me çmimet e tregut. Shteti ia paguan menjëherë vlerën e truallit pronarit të tokës. Në rast se subjekti kontraktues nuk paguan vlerën e truallit brenda afatit të mësipërm, trualli i kthehet subjektit të shpronësuar, i cili, deri në përfundim të kontratës, merr nga shteti edhe qiranë e vendosur në kontratë. Në përfundim të kontratës, pronari i truallit ka të drejtën e parablerjes;
ii) kur investimi i kryer është nën 150 për qind të vlerës së truallit, trualli i kthehet subjektit të shpronësuar, i cili merr nga shteti, deri në përfundim të kontratës, edhe qiranë e truallit që paguan subjekti sipas kontratës. Në përfundim të kontratës, pronari i truallit ka të drejtën e parablerjes së objektit.
2. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, institucioneve shtetërore nuk u lejohet të japin me qira, enfiteozë, koncesion apo përdorim objektet shtetërore të ndërtuara mbi troje private, përveç rasteve kur kontratat i shërbejnë realizimit të interesave publikë, të përcaktuar në nenin 7/1 të këtij ligji.
Në rast se objektet shtetërore të ndërtuara mbi troje private transferohen në pronësi apo në administrim të një institucioni tjetër shtetëror, e drejta e parablerjes nuk shuhet.”.

Neni 9
Banesat

1. Banesat, pronë e subjekteve të shpronësuara, të cilat u janë dhënë me qira qiramarrësve nga shteti para hyrjes në fuqi të ligjit nr.7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore” dhe që shfrytëzohen për nevoja strehimi, kalojnë në posedim të subjekteve të shpronësuara, kur vërtetohet një nga rastet e mëposhtme:
a) qiramarrësit kanë plotësuar nevojat e tyre për strehim në çfarëdo mënyre tjetër të ligjshme;
b) subjektet e shpronësuara u ofrojnë qiramarrësve strehim në sipërfaqe jo më të vogël dhe me kushte të përafërta me strehimin që kanë në përdorim, brenda së njëjtës njësi të qeverisjes vendore, derisa qiramarrësit të plotësojnë nevojat e tyre për strehim në njërën nga mënyrat e tjera të parashikuara në këtë nen;
c) qiramarrësit nënshkruajnë kontratën e kredisë me institucionin financiar, sipas paragrafit të parë dhe të dytë të nenit 25 të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”;
ç) qiramarrësit përfitojnë strehim ose truall, sipas paragrafit 3 të nenit 25 të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”.
2. Në zbatim të kërkesave të shkronjës “c” të pikës 1 të këtij neni, kontrata e përcaktuar në pikën 1 të nenit 25 të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane” duhet të lidhet midis Ministrit të Financave, ministrit që mbulon strehimin dhe institucionit që jep dhe menaxhon kredinë, brenda datës 31 dhjetor 2006. Për qiramarrësit që përfitojnë kredi, sipas pikës 2 të nenit 25 të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, kontrata duhet të përmbajë edhe fondin limit të financimit. Fondi limit fiksohet në përputhje me aktet nënligjore në fuqi, që caktojnë koston mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave dhe të koeficientit “K”, mbi të cilin operon Enti Kombëtar i Banesave.
3. Lista e të pastrehëve, qiramarrës në banesat pronë e subjekteve të shpronësuara, që trajtohen sipas shkronjave “c” dhe “ç” dhe fondi limit, sipas pikës 2 të këtij neni, hartohen nga Enti Kombëtar i Banesave, në bazë të dokumentacionit të njësive të qeverisjes vendore dhe të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pas verifikimit në terren të të dhënave dhe miratohet nga Këshilli i Ministrave jo më vonë se data 31 tetor 2006.
4. Personat e pastrehë, qiramarrës në banesat pronë e subjekteve të shpronësuara, të cilët brenda datës 31 dhjetor 2008 nuk lidhin kontratën sipas shkronjës “c” të pikës 1 të këtij neni, apo që deri në këtë datë nuk kanë plotësuar nevojat e tyre për strehim, sipas çdonjërit nga rastet e përcaktuara në shkronjat “a” ,”c” e “ç” të pikës 1 të këtij neni, humbasin të drejtën e posedimit të ligjshëm të banesës dhe trajtohen në bazë të programeve sociale të strehimit, sipas nenit 4 të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”. Subjekti i shpronësuar përfiton të drejtën e posedimit të ligjshëm të banesës në pronësi të tij.
5. Qiraja e banesave të zëna nga personat e pastrehë, të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, indeksohet bazuar në të dhënat e INSTAT-it për rritjen vjetore të çmimeve dhe pagave dhe synon mbulimin e shpenzimeve lidhur me koston e pronarit për mirëmbajtje dhe miradministrim të banesës. Në çdo rast, qiraja vjetore e indeksuar nuk mund të tejkalojë 10 për qind të kostos minimale fiskale, që llogaritet nga administrata tatimore për efekt TVSH-je.
Indeksimi i qirasë, sipas kësaj pike, bëhet nga Këshilli i Ministrave për çdo vit kalendarik. Për vitin e parë të hyrjes në fuqi të këtij ligji, çmimi i indeksuar zbatohet duke filluar nga data 1 korrik.

Neni 10
Prona që nuk përdoret më për interesa publikë

Kur një shpronësim është bërë për një interes publik dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave vërteton se prona e paluajtshme nuk përdoret më për këtë qëllim, ajo i kthehet subjektit të shpronësuar, kurse subjekti i shpronësuar, kur është shpërblyer, i kthen shtetit shpërblimin e marrë.

KREU III
KOMPENSIMI I PRONËS

Neni 11
Format e kompensimit

1. Për pronat e përcaktuara në këtë ligj, për të cilat është i pamundur kthimi fizik, shteti kompenson subjektet e shpronësuara me një ose më shumë nga format e mëposhtme:
a) me pronë tjetër të paluajtshme të të njëjtit lloj, me vlerë të barabartë, në pronësi të shtetit;
a/1) me pasuri të paluajtshme publike në zonat, që kanë përparësi zhvillimin e turizmit;
b) me pronë tjetër të paluajtshme të çdo lloji, me vlerë të barabartë, në pronësi të shtetit;
c) me aksione në shoqëri me kapital shtetëror ose ku shteti është bashkëpronar, që kanë vlerë të barabartë me pronën e paluajtshme;
ç) me vlerën e objekteve, të cilat janë objekt i privatizimit;
d) me të holla.
2. shfuqizuar.
3.Shpërblimi për efekt kompensimi nuk i nënshtrohet asnjë takse, tatimi ose ndalese.

Neni 12
Vendndodhja e kompensimit fizik

Kompensimi fizik, sipas shkronjave “a”, “a/l” dhe “b” të nenit 11 të këtij ligji, bëhet edhe jashtë kufijve territorialë të qarkut, ku ndodhet prona e paluajtshme. Këshilli i Ministrave miraton kriteret dhe procedurat për caktimin e pronave, fond pasurie të paluajtshme, për kompensim fizik. Për kryerjen e kompensimit fizik përparësi kanë pronat publike, brenda zonave, që kanë përparësi zhvillimin e turizmit, të përcaktuara në mbështetje të ligjit nr.7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave, që kanë përparësi turizmin”.
Trojet e dhëna me kompensim në zona turistike duhet të përdoren vetëm në përputhje me masterplanin për zhvillimin e turizmit dhe planet rregulluese respektive të territorit, të miratuara në zbatim të tij.Sipërfaqet e caktuara për kompensim shpallen publikisht në Fletoren Zyrtare, duke bërë të ditur si kategoritë, ashtu edhe vlerat e tyre.

Neni 13
Vlerësimi i pronës

1. Për vlerësimin e pronës që kompensohet zyra rajonale e AKKP-së në qark ngre grupin e ekspertëve. Zyra rajonale e AKKP-së në qark cakton në rolin e ekspertit persona me përvojë dhe kualifikim të posaçëm në fushën juridike, ekonomike dhe inxhinierike që ka lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave.
2. Vlera e pronës që kompensohet, sipas këtij ligji, përcaktohet në bazë të vlerës së tregut, në përputhje me metodologjinë e propozuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, miratuar me vendim të Kuvendit.
3. Në kryerjen e veprimtarisë së tij, asnjë nga anëtarët e organeve shtetërore për kthimin dhe kompensimin e pronave ose të grupit të ekspertëve nuk duhet të jetë në kushtet e pengesës ligjore të përcaktuar në Kodin e Procedurave Administrative.

Neni 14
E drejta e parablerjes

1. Për pronat e paluajtshme të zëna me objekte shtetërore, subjektet e shpronësuara kanë të drejtën e parablerjes mbi këto objekte kur ato të privatizohen. E drejta e parablerjes regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore për të drejtën e parablerjes në privatizimin e objekteve.

2.Subjektet e shpronësuara kanë të drejtë të heqin dorë nga e drejta e parablerjes përkundrejt kompensimit, sipas nenit 11 të këtij ligji.


KREU IV
ORGANET SHTETËRORE PËR PROCESIN E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE

Neni 15
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave

1. Për zbatimin e këtij ligji krijohet Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, person juridik publik. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (në vijim AKKP), ka qendër në Tiranë dhe zyra rajonale në çdo qark. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kryen këto detyra dhe ka këto përgjegjësi:
a) pranon kërkesat për kthim ose kompensim sipas këtij ligji;
b) shqyrton kërkesat dhe kontrollon vërtetësinë e dokumentacionit që paraqesin subjektet e shpronësuara dhe e ballafaqon atë me aktet ligjore, nënligjore ose vendimet gjyqësore, sipas nenit 2 të këtij ligji, që kanë shërbyer si bazë për shpronësimin, shtetëzimin, konfiskimin ose marrjen e padrejtë nga shteti të pronës;
c) verifikon dhe llogarit detyrimet financiare që lindin për shtetin, subjektin e shpronësuar ose të tretët, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj;
ç) u konfirmon të drejtën e pronësisë subjekteve të shpronësuara, duke lëshuar dokumentin përkatës për njohjen, masën dhe mënyrën e kthimit ose të kompensimit të pronësisë, sipas modelit të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave;
d) regjistron aktet e njohjes, kthimit ose kompensimit të pronave dhe të drejtat reale të lidhura me to, në regjistrat e pasurisë së paluajtshme.
2. Për ushtrimin e përgjegjësive të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, AKKP-ja bashkëpunon me institucionet që kanë në administrim pronën shtetërore ose publike. Këshilli i Ministrave, jo më vonë se 1 muaj nga hyja në fuqi e këtij ligji, përcakton procedurën dhe afatet e komunikimit ndërmjet institucioneve.
3. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

Neni 16
Përgjegjësitë e zyrave në qendër dhe në qarqe

1. Zyra e AKKP-së në qendër udhëheq dhe mbikëqyr punën për zbatimin e këtij ligji në zyrat rajonale të qarqeve, bën shqyrtimin fillestar të kërkesës së subjektit të shpronësuar për kompensim, sipas mënyrës së parashikuar nga neni 11 i këtij ligji, për pasurinë e paluajtshme të njohur për t’u kompensuar, si dhe shqyrton ankimin ndaj vendimeve të zyrës rajonale të AKKP-së në qark. Në zbatim të përgjegjësive të veta, për kompensimin dhe zgjidhjen e ankimeve, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së shprehet me vendim.
2. Zyrat rajonale të AKKP-së në qark kryejnë trajtimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara për njohje dhe kthim të pasurisë së paluajtshme për pasuritë me vendndodhje brenda territorit të qarkut. Drejtori i zyrës së qarkut nënshkruan vendimin për njohjen e të drejtës së pronësisë dhe kthimin ose kompensimin e pasurisë dhe të drejta të tjera reale, që parashikohen sipas këtij ligji. Në zbatim të përgjegjësive të veta, për njohjen e të drejtës së pronësisë, kthimin ose kompensimin, si dhe të drejta të tjera reale, drejtori i zyrës rajonale të AKKP-së në qark shprehet me vendim.
3. Vendimet e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni duhet të jenë në formë të shkruar, të arsyetuar, të nënshkruar nga titullari dhe të përmbushin kërkesat e parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative për aktin administrativ. Kur vendimi i parashikuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni nuk ankimohet nga kërkuesi, ai përbën titull ekzekutiv. Ngarkohen zyrat e përmbarimit për ekzekutimin e tij, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile.

Neni 17
Afati

1. Subjektet e shpronësuara, për fitimin e të drejtave të parashikuara nga ky ligj, kanë të drejtë të depozitojnë kërkesa të reja, deri në datën 1 tetor 2007.
2. Zyra e AKKP-së në qendër shqyrton kërkesën për kompensim, jo më vonë se 3 muaj nga data e regjistrimit të saj. Në rast se zyra e AKKP-së në qendër e ka të pamundur të vendosë brenda këtij afati, ajo njofton subjektin e shpronësuar dhe, me vendim të arsyetuar, mund të shtyjë afatin për një periudhë jo më shumë se 30 ditë.
Kërkesa e subjektit të shpronësuar depozitohet drejtpërdrejt në institucion apo nëpërmjet postës dhe evidentohet në regjistrin e protokollit të institucionit. Subjekti pajiset me vërtetimin e regjistrimit të kërkesës.
I njëjti afat dhe e njëjta procedurë është e vlefshme edhe për shqyrtimin e kërkesës për njohje pronësie pranë zyrës së AKKP-së rajonale.
3. Në zbatim të këtij ligji, Agjenica e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave nuk do të trajtojë me vendim asnjë kërkesë që mbështet pretendimin e vet, vetëm në një vendim gjyqësor të vërtetimit të faktit juridik të pronës mbi pasurinë e paluajtshme, në kuptim të nenit 388 të Kodit të Procedurës Civile. Të gjitha aplikimet e mbështetura mbi vërtetim fakti juridik do t’u kthehen subjekteve, brenda 30 ditëve nga depozitimi i tyre.
Ekzekutimi i vendimit për kompensim financiar kryhet brenda 6- mujorit të parë të çdo viti financiar. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat dhe kriteret për trajtimin e vendimeve të kompensimit financiar.

Neni 18
Ankimi

1. Kundër vendimit të njohjes së të drejtës së pronësisë, kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të drejtave të tjera reale të zyrës rajonale të AKKP-së në qark, subjekti i shpronësuar ka të drejtë të bëjë ankim brenda 30 ditëve nga njoftimi i këtij vendimi në zyrën e AKKP-së në qendër, sipas pikës 1 të nenit 16 të këtij ligji. Jo më vonë se 45 ditë nga regjistrimi i ankimit, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së merr vendim për objektin e ankimit. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vendos:
a) lënien në fuqi të vendimit; ose
b) shfuqizmin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të tij.
Kundër vendimit për lënie në fuqi të vendimit të AKKP-së së zyrës rajonale, ankimi kryhet pranë gjykatës së rrethit në territorin e qarkut ku ka vendodhjen zyra rajonale e AKKP-së së qarkut dhe mbrojtja e interesave të AKKP-së kryhet nga zyra rajonale e AKKP-së së qarkut. Kur vendimi zgjidh çështjen në themel, ankimi kryhet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë dhe AKKP-ja përfaqësohet në gjykim nga zyra e AKKP-së në qendër.
2. Kundër vendimit të AKKP-së në qendër për kompensim të pronës, subjekti i shpronësuar ka të drejtë të bëjë ankim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, brenda 30 ditëve nga njoftimi i këtij vendimi. AKKP-ja përfaqësohet në gjykim nga zyra e AKKP-së në qendër.

Neni 19
shfuqizohet.

Neni 20
Transferimi i arkivit, logjistikës dhe mjeteve të punës

Veprimtaria e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe e komisioneve në qarqe përfundon ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Arkivi, mjetet e punës dhe logjistika e Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe komisioneve vendore në qarqe, e krijuar dhe administruar sipas ligjit nr.9235, datë 29.07.2004, të ndryshuar, transferohet në administrim të AKKP-së, brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji


KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 21
Transferimi i fondeve buxhetore të KSHKKP- së dhe komisioneve vendore

Fondet buxhetore, të planifikuara për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe komisonet vendore të kthimit të pronave në qarqe, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, transferohen në llogari të AKKP-së. Përjashtim bën vetëm fondi i pagës për punonjësin që kryen dorëzimin e dosjeve.”.

Neni 22
Vendimet e mëparshme

1. Në rast se në dosjet e depozituara në zyrat rajonale e AKKP-së në qark, të ngritura sipas ligjit nr.7698, datë 15.4.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”, ekziston dokumentacioni i nevojshëm për vërtetimin e pronësisë për pronën që do të përfitohet sipas këtij ligji, subjekti i shpronësuar paraqet vetëm kërkesën me shkrim për njohjen, kthimin ose kompensimin e pjesës së mbetur të pronës së paluajtshme. Vendimet e dhëna në bazë të ligjit nr.7699, datë 21.4.1993 “Për kompensimin në vlerë ose me troje të ish-pronarëve të tokave bujqësore, livadheve, kullotave, tokave pyjore dhe pyjeve” që nuk janë realizuar, konsiderohen të vlefshme për njohjen e së drejtës së pronësisë dhe AKKP përcakton nëse është i mundur kthimi i pronës së paluajtshme apo kompensimi i saj.
2. Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave rifillon në mënyrën, formën dhe kushtet e parashikuara nga ky ligj.

Neni 22/1

Kudo në ligj emërtimet “Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave” dhe “Komisioni vendor i kthimit dhe kompesimit të pronave” zëvendësohen përkatësisht me emërtimet “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave” dhe “Zyra rajonale e AKKP-së në qark”.

Neni 23
Fondi i kompensimit

1. Për zbatimin e kompensimit financiar, krijohet Fondi i Kompensimit të Pronave. Ky fond përbëhet nga të ardhurat buxhetore, nga të ardhurat e krijuara nga ky ligj dhe të ardhura nga donatorë të ndryshëm.
2. Duke filluar nga viti 2005 dhe për një periudhë 10-vjeçare rresht, Kuvendi, për propozimin e Këshillit të Ministrave, cakton Fondin e Kompensimit, i cili administrohet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensimin në të holla të subjekteve të shpronësuara. Për periudhën nga njohja e së drejtës së pronësisë deri në marrjen e shpërblimit në formën e kompensimit në të holla, subjekti i shpronësuar përfiton edhe interesin bankar, sipas mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë.
1. Bazuar në vendimet e komisioneve vendore ose të gjykatave dhe sipas një radhe të përcaktuar nga vetë ai, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ndan Fondin për Kompensimin në mënyrë proporcionale.

Neni 24
Afati i përfundimit të procesit

Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme përfundon deri në datën 31.6.2008, me përjashtim të kryerjes së pagesës së kompensimit, e cila duhet të përfundojë në afatin e parashikuar në nenin 23 të këtij ligji.

Neni 25
Përdorimi i dokumenteve shtetërore

Për efekt të zbatimit të këtij ligji, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, institucionet shtetërore vënë në dispozicion të subjekteve të shpronësuara dhe komisioneve shtetërore, kundrejt shpërblimit, kopje të të gjitha dokumenteve që disponojnë.

Neni 26
Ruajtja e dokumentacionit

Dokumentacioni i procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave ruhet sipas legjislacionit në fuqi për arkivat. Me përfundimin e procesit, sipas nenit 24 të këtij ligji, ky dokumentacion i dorëzohet Arkivit Qendror të Shtetit.

Neni 27
Kontrolli

Kontrolli ekonomik dhe financiar i veprimtarisë së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe i komisioneve vendore kryhet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit të paktën një herë në gjashtë muaj. Përfundimet e kontrolleve bëhen kurdoherë publike.

Neni 28
Fondi i pasurive të paluajtshme për kompensim fizik

Përveç fondit financiar të kompensimit, të parashikuar nga neni 23 i këtij ligji, krijohet fondi i pasurive të paluajtshme për kompensim fizik. Brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave miraton fondin e pronave pasuri të paluajtshme shtetërore që vihen në dispozicion për kompensim fizik, sipas shkronjave “a”, “a/1” dhe “b” të nenit 11, si dhe mënyrat e vendosjes së këtij fondi në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Neni 28/1
Dispozita kalimtare

Për pasuri të paluajtshme, mbi të cilat janë ngritur nga të tretë objekte pa leje në kundërshtim me ligjin “Për urbanistikën”, të ndryshuar, kthimi fizik nuk zbatohet pa përfunduar afatet ligjore të parashikuara për legalizmin e objekteve në zona informale dhe objekte të tjera informale me vendndodhje brenda territoreve formale. Në përfundim të afatit ligjor të parashikuar për procesin e legalizmit, zbatohet, aty ku është e mundur, kthimi fizik i pronës së paluajtshme, ndërsa pjesa tjetër kompensohet në përputhje me nenin 11 të këtij ligji.
Në çdo kohë, subjektit të shpronësuar ose subjektit që është zhveshur arbitrarisht nga pronësia i lind e drejta që, përpara përfundimit të afatit të parashikuar për mbylljen e procesit të legalizmit, të heqë dorë nga e drejta e kthimit fizik të pasurive të zëna me këto ndërtime kundrejt kompesimit, sipas dispozitave të nenit 11 të këtij ligji.
Ky kufizim nuk i shtrin efektet e tij për pasuritë e paluajtshme, të cilat janë vënë në dispozicion të të tretëve me qira, enfiteozë, koncesion etj. nga shteti, megjithë përmirësimet ose ndërtimet e kryera në to. Për të gjitha këto pasuri të paluajtshme zbatohet menjëherë rregullimi ligjor i parashikuar në pikën 1 shkronja “b” të nenit 8/1 të këtij ligji.”.

Neni 28/2
Verifikimi i ligjshmërisë së tjetërsimeve

1. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të verifikojë procesin e kalimit në përdorim ose në pronësi pa kundërshpërblim të pasurisë së paluajtshme tokë, sipas akteve ligjore të paraqitura në shtojcën 1/1 të këtij ligji, familjeve ose anëtarëve të ndërmarrjeve bujqësore apo kooperativave bujqësore, personave që kanë themeluar ish-ndërrmarrje bujqësore, ish-punonjësve të ndërmarrjeve bujqësore me banim në qytet ose specialistëve të bujqësisë.
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit e organizon këtë proces nëpërmjet drejtorive rajonale të bujqësisë në 12 qarqe.
2. Procesi i përcaktuar në pikën 1 të këtij neni i nënshtrohet verifikimit të ligjshmërisë. Verifikimi mbështetet në dokumente zyrtare që administron vetë ministria, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Arkivi i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, si dhe çdo ent tjetër publik ose privat dhe, sipas rastit, në verifikime në vend.
Dokumentet zyrtare të lëshuara nga institucionet publike për llogari të këtij procesi, regjistrohen në një regjistër të posaçëm dhe përjashtohen nga pagesat për taksë pulle apo tarifë shërbimi.
3. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit përfundon procesin e verifikimit në të gjithë territorin e vendit brenda datës 15 mars 2007.
Në përputhje me rezultatet e verifikimit, Këshilli i Ministrave përcakton masat administrative për rivendosjen e ligjshmërisë në vend.

Neni 29
Aktet nënligjore

Brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave nxjerr aktet e nevojshme nënligjore në zbatim të tij.

Neni 30
Shfuqizime

Ligji nr. 7698, datë 15.4.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”, me ndryshimet e mëvonshme, ligji nr. 7699, datë 21.4.1993 “Për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve të tokave bujqësore, kullotave, livadheve, tokave pyjore dhe pyjeve”, dekreti nr.1254, datë 19.10.1995 “Për kompensimin e ish-pronarëve të tokës bujqësore dhe jobujqësore dhe të trojeve të zëna, me troje në zonat turistike dhe në qendrat e banuara”, neni 10 i ligjit nr. 8030, datë 15.11.1995 “Për kontributin e shtetit për familjet e pastreha”, shkronja “ç” e nenit 7 dhe neni 13 të ligjit nr. 7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”, si dhe çdo dispozitë tjetër që është në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohen.

Neni 31
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

K R Y E T A R I
Servet Pëllumbi

SHTOJCA 1

1. Ligji nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”.
2. Ligji nr. 7512, datë 10.8.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private dhe nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”.
3. Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 378, datë 2.12.1992 “Për faljen e studiove të punës piktorëve dhe skulptorëve”.
4. Ligji nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”.
5. Ligji nr. 7665 datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”.
6. Ligji nr. 7698, datë 15.4.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”.
7. Ligji nr. 7980, datë 27.7.1995 “Për shitblerjen e tokave”.
8. Ligji nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”.
9. Ligji nr. 8312, datë 26.3.1998 “Për tokat bujqësore të pandara”.

SHTOJCA 1/1


Ligji nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, i ndryshuar;
Ligji nr.7983, datë 27.7.1995 “Për shitblerjen e tokës bujqësore, livadheve dhe kullotave”;
Ligji nr.8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa kundërshpërblim të tokës bujqësore”;
Ligji nr.8312, datë 26.3.1993 “Për tokat bujqësore të pandara”;
Ligji nr.8337, datë 30.4.1998 “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore pyjore, livadheve dhe kullotave”;
Vendimi nr.452, datë 17.10.1992 “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”.


 

Copyright © 2009 AKKP.Të gjitha të drejtat e rezervuara.