Home | Struktura | Ligje | Rreth nesh | Kontakti

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

MINISTRIA E DREJTËSISË

Ministri

Zyra Qendrore

 

RREGULLORE

“PËR ORGANIZIMIN E PUNËS NË AGJENCINE E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TE PRONAVE ”

KREU I

Dispozita të përgjithshme

Neni 1

Objekti

  Kjo Rregullore përcakton procedurat për trajtimin e kërkesave dhe të ankimeve në Zyrën Qendrore të AKKP-së dhe në Zyrat Rajonale të AKKP-së në qarqe, procedurat e komunikimit me të tretët, rekrutimin e personelit, llojet e masave disiplinore dhe procedurat për dhënien e tyre.

  Neni 2

Fusha e Zbatimit

Kjo rregullore është e detyrueshme për zbatim nga punonjësit e Zyrës së AKKP-së në Qendër dhe punonjësit e Zyrave Rajonale të AKKP-së në Qarqe. Shkelja e saj passjell përgjegjësi disiplinore.

Neni 3

Përkufizime

  Në zbatim të kësaj rregulloreje termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:

Kërkesë ” kuptohet çdo pretendim me shkrim, i nënshkruar, i depozituar dorazi ose me postë, pavarësisht nëse është e shoqëruar me dokumentacion provues mbi të cilin bazohet pretendimi.

Ankim ” kuptohet çdo pretendim me shkrim, i nënshkruar, që kundërshton një vendim të dhënë nga Zyra Rajonale e AKKP-së në Qark ose një vendim të dhënë nga ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronës ose ish-komisionet e rretheve, bashkive ose qarqeve për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve;

“Vendim” kuptohet akti me shkrim, i hartuar në përputhje me modelin e përcaktuar në VKM-në për këtë qëllim, i nënshkruar, i dhënë nga Drejtori i Zyrës Rajonale i AKKP-së në Qark ose nga Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së në përfundim të procedurës së shqyrtimit administrativ të kërkesës/ankimit.

“Korrigjim vendimi” kuptohet vendimi për ndreqjen e gabimeve materiale në vendim dhe/ose në hartën shoqëruese të vendimit, që kanë të bëjnë me mospërputhje të mendimit të brendshëm me shfaqjen e këtij mendimi në vendim, mbështetur në aktet ekzistuese në dosje, por pa cënuar thelbin e vendimit .

“ZRKKP” kuptohet Zyra Rajonale e AKKP-së në Qark.

KREU II

PROCEDURA E TRAJTIMIT TË KËRKESAVE NË ZRKKP

Neni 4

Regjistrimi i kërkesës

 1. Kërkesat e depozituara drejtpërdrejt apo nëpërmjet shërbimit postar, pranë ZRKKP-së, regjistrohen në regjistrin e kërkesave.

2. Data e regjistrimit si më sipër shënon fillimin e afatit të shqyrtimit të kërkesës.

Neni 5

Plotësimi i të metave të kërkesës dhe të dokumentacionit shoqërues

1. Kur punonjësi i ngarkuar vëren se kërkesa e regjistruar dhe dokumentacioni bashkëlidhur saj, nuk është në përputhje me kriteret e përcaktuara në VKM-në për këtë qëllim, ai brenda 3 ditëve nga depozitimi i kërkesës, njofton kërkuesin për plotësimin e dokumentacionit. Në këtë njoftim, i cili nënshkruhet nga Drejtori i ZRKKP-së, përcaktohet në mënyrë të saktë dokumentacioni i nevojshëm dhe zyra ku mund të gjenden këto dokumente, si dhe afati 30 ditor nga marrja e njoftimit, për paraqitjen e dokumenteve.

2. Për efekt të llogaritjes së afatit të trajtimit të kërkesës sipas pikës 1, si datë regjistrimi do të konsiderohet data e depozitimit të dokumentacionit nga kërkuesi në ZRKKP.

3. Në rast se kërkuesi nuk paraqet dokumentacionin e kërkuar, atëherë, me kalimin e afatit 30 ditor nga njoftimi i kërkuesit, ZRKKP-ja vazhdon shqyrtimin administrativ të kërkesës, duke vlerësuar vetëm aktet e paraqitura.

4. Për efekt të llogaritjes së afatit të trajtimit të kërkesës sipas pikës 3, si datë regjistrimi do të konsiderohet data e mbarimit të afatit 30 ditor.

5. Kërkesa, të cilës i mungon adresa e saktë postare, do të konsiderohet si jo e mirëqenë dhe do riaktivizohet vetëm me interesimin e kërkuesit pranë ZRKKP-së.

Neni 6

Veprimet paraprake

Kur punonjësi i ngarkuar konstaton se kërkesa plotëson kriteret formale në përputhje me VKM-në për këtë qëllim, atëherë vepron si më poshtë:

a) në rastin kur subjekti kërkues paraqit kërkesën drejtpërdrejt në ZRKKP, kërkesa regjistrohet dhe subjekti kërkues orientohet për pagimin e tarifës përkatëse. Pas këtyre veprimeve, hapet një dosje e inventarizuar dhe subjekti kërkues pajiset me vërtetimin e numrit të protokollit të dosjes, që është i njëjtë me numrin e regjistrimit të kërkesës, si dhe me një kopje të fletë-inventarit të dosjes.

b) në rastin kur kërkesa, së bashku me mandatin e pagesës së tarifës dërgohen në ZRKKP, nëpërmjet shërbimit postar, punonjësi regjistron kërkesën dhe hap një dosje të inventarizuar me numër protokolli të njëjtë me atë të kërkesës. Në këtë rast, punonjësi i ngarkuar brenda 3 ditëve njofton kërkuesin për hapjen e dosjes, numrin e saj, si dhe për marrjen në shqyrtim të kërkesës. Ky akt njoftimi nënshkruhet nga Drejtori i ZRKKP-së.

Neni 7

Caktimi i grupit të punës

1. Pas hapjes së dosjes, Zyra e Protokollit brenda ditës ia përcjell atë Drejtorit të ZRKKP-së. Dosja shoqërohet nga kartela shoqëruese, e cila plotësohet, sipas rubrikave të saj, nga personat që trajtojnë kërkesën. Kartela shoqëruese është sipas modelit të bashkëlidhur në aneksin 1 të kësaj rregulloreje dhe është pjesë e dosjes.

2. Drejtori i ZRKKP-së, brenda ditës, ia përcjell dosjen për shqyrtim në sektorin/ët, përkatës, duke bërë shënimet në kartelën shoqëruese të dosjes.

3. Brenda ditës nga marrja e dosjes nga Drejtori i ZRKKP-së, përgjegjësi/përgjegjësit e sektorit, caktojnë specialistët që do të bëjnë pjesë në grupin e punës për shqyrtimin e saj.

Neni 8

Detyrat e grupit të punës

1. Grupi i punës kryen hetimin e plotë administrativ të dosjes së caktuar në përputhje me ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”,të ndryshuar, me aktet nënligjore në zbatim të tij, me Kodin e Procedurave Administrative dhe me aktet e brendshme të Drejtorit të Përgjithshëm të nxjerra për këtë qëllim.

2. Çdo anëtar i grupit të punës, si dhe Përgjegjësi që mbikqyr praktikën mban përgjegjësi individuale për zbatimin me korrektësi dhe paanësi të normave ligjore dhe nënligjore gjatë procedurës së shqyrtimit administrativ të dosjes, si dhe për hartimin e akteve dokumentuese të këtij shqyrtimi.

3. Specialistët e caktuar me shqyrtimin e dosjes, kryejnë veprimet procedurale hetimore e verifikuese, si dhe marrin konfirmime nga institucionet e treta për pronën e pretenduar nga kërkuesi. Në rastet e vonesës në konfirmime nga institucionet e treta, ata njoftojnë menjëherë Drejtorin e Përgjithshëm, i cili vë në dijeni Kabinetin e Kryeministrit dhe Ministrin e Drejtësisë sipas parashikimeve të VKM-së nr. 52, datë 07.02.2007. Drejtori i AKKP-së tregon në këtë njoftim edhe vendimet e marra ose jo prej tij për shtyrjen e afatit të shqyrtimit administrativ për shkak të vonesës në konfirmime.

4. Verifikimi në terren për pozicionimin dhe gjendjen faktike të pronës, si dhe përgatitja e akt-verifikimit përkatës, duhet të kryhet në prezencë të kërkuesit. Akti i verifikimit është sipas formularit tip të miratuar me Urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së.

Neni 9

Shtyrja e afatit të shqyrtimit të kërkesës

Kur hetimi administrativ ose korrespondenca me institucionet e treta nuk ka përfundon brenda afatit të parashikuar, specialistët që shqyrtojnë dosjen, 10 ditë para përfundimit të afatit 3 mujor, përgatisin një relacion të motivuar për shtyrjen e afatit të shqyrtimit për një periudhë jo më shumë se 30 ditë, të cilin ia paraqesin për vlerësim Drejtorit të ZRKKP-së. Ky i fundit, brenda ditës, shprehet për miratimin ose jo të tij. Në rastin e miratimit hartohet i arsyetuar vendimi për shtyrjen e afatit, i cili nënshkruhet nga Drejtori i ZRKKP-së. Ky vendim i njoftohet menjëherë subjektit kërkues dhe bëhet pjesë e dosjes.

Neni 10

Vlerësimi i dosjes

1. Pas përfundimit të veprimeve proceduriale hetimore dhe verifikuese sipas nenit 8, specialistët duhet të hartojnë vlerësimin ligjor me shkrim. Ky akt i nënshkruar, përfshihet në dosje dhe i paraqitet për vlerësim Përgjegjësit të Sektorit Juridik, i cili ka mbikqyrur praktikën.

2. Vlerësimi ligjor duhet të përmbajë:

a) specialistët e grupit të punës;

b) të dhënat identifikuese të kërkuesit dhe të pronës së pretenduar;

c) parashtrimin e përmbledhur të rrethanave të faktit dhe provat mbi të cilat bazohet ky fakt, si dhe veprimet proceduriale hetimore dhe verifikuese të kryera nga grupi i punës;

c) arsyet për të cilat grupi i punës i quan të papranueshme provat e kundërta;

propozimet për zgjidhjen e çdo kërkimi të ngritur nga kërkuesi në kërkesë, duke treguar referencën në ligj dhe aktet nënligjore;

d) datën, orën dhe nënshkrimin e specialistëve të grupit të punës.

3. Përgjegjësi i Sektorit Juridik, pasi vlerëson dosjen e përfunduar brenda 3 ditëve:

a) Nëse është dakord, e pranon vlerësimin ligjor nëpërmjet nënshkrimit të tij. Pas nënshkrimit ia përcjell dosjen Drejtorit të ZRKKP-së.

b)Nëse nuk është dakord me vlerësimin ligjor të propozuar nga specialistët përkatës, atëherë nuk e pranon atë nëpërmjet vënies së shënimit “NUK PRANOHET” në vlerësimin ligjor dhe nënshkrimit të tij. Në këtë rast, ai harton një relacion me shkrim mbi arsyet e mospranimit të vlerësimit ligjor dhe mbi detyrat shtesë që duhen kryer. Relacioni protokollohet me fraksion të numrit të dosjes dhe përfshihet në dosje. Pas këtyre veprimeve, dosja i përcillet Drejtorit të ZRKKP-së së qarkut.

Neni 11

Vendimi i Drejtorit të ZRKKP-së

1. Drejtori i ZRKKP-së, brenda 3 ditëve, vlerëson dosjen dhe vepron si më poshtë:

a) Nëse është dakord me propozimin e dhënë në vlerësimin ligjor nga specialistët që kanë shqyrtuar dosjen, nënshkruan vendimin.

b) Nëse nuk është dakord me propozimin e dhënë në vlerësimin ligjor nga grupi i punës dhe çmon se duhen kryer veprime shtesë, urdhëron me shkrim kryerjen e këtyre veprimeve duke i saktësuar ato dhe duke caktuar një afat për kryerjen e tyre.

c) Nëse nuk është dakord me propozimin e dhënë në vlerësim ligjor nga grupi i punës dhe çmon se çështja duhet zgjidhur ndryshe pa qenë e nevojshme kryerja e veprimeve të tjera, paraqet me shkrim arsyet e mospranimit të propozimit të dhënë në vlerësimin ligjor. Pas këtyre veprimeve Drejtori i ZRKKP-së përgatit dhe nënshkruan vendimin e hartuar sipas zgjidhjes së çmuar prej tij. Në këtë rast, përgjegjësia për zgjidhjen e dhënë është e Drejtorit të ZRKKP-së dhe e Përgjegjësit të Sektorit Juridik, kur ky i fundit ka vendosur shënimin “nuk pranohet” mbi vlerësimin ligjor të grupit të punës.

2. Në çdo rast, vendimet e Drejtorit duhet të jepen të motivuara dhe të përmbajnë bazën ligjore.

Neni 12

Afati dhe dokumentimi i veprimeve

1. Të gjitha veprimet e mësipërme për shqyrtimin e kërkesës kryhen duke respektuar afatin 3 mujor, nga data e regjistrimit të kërkesës, me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenet 5 dhe 9 të kësaj rregulloreje.

2. Çdo veprim që kryhet gjatë shqyrtimit të kërkesës dokumentohet, përfshihet në dosjen përkatëse dhe evidentohet në inventarin e saj. Dokumentimi bëhet me shkrim, nënshkrim, datë dhe orë.

3. Brenda ditës së nënshkrimit të vendimit nga Drejtori i ZRKKP-së, dosja i përcillet Zyrës së Protokollit, që regjistron vendimin në regjistrin e vendimeve. Të gjitha faqet e vendimit dhe harta/planvendosja shoqëruese vulosen me vulë lidhëse.

Neni 13

Shpallja dhe njoftimi i vendimit

1. Vendimet e dhëna nga ZRKKP-të, të nënshkruara dhe të vulosura, afishohen në stenda publike në ambientet e jashtme të institucionit, si dhe publikohen edhe në regjistrin elektronik të vendimeve që mban çdo ZRKKP. Ky afishim/publikim bëhet jo më vonë se dita e nesërme e nënshkrimit të vendimit nga Drejtori i ZRKKP-së.

2. Drejtori i ZRKKP-së, brenda 3 ditëve kalendarike nga data e shpalljes së vendimit, i njoftohet subjekteve të shpronësuara apo përfaqësuesve të tyre, Avokaturës së Shtetit, si dhe Zyrës Qendrore të AKKP-së. Vendimi lëshohet me rubrikën e titullit ekzekutiv të paplotësuar dhe dërgohet nëpërmjet shërbimit postar rekomande me lajmërim marrje.

3. Një kopje e vendimit i njoftohet Kabinetit të Ministrit të Drejtësisë sipas Urdhrit të Ministrit për këtë qëllim.

4. Njoftimi i vendimit sipas pikës 2 në çdo rast kryhet nëpërmjet dokumentimit për marrjen dijeni të subjekteve të përcaktuara në pikën 2.

5. Një kopje e njoftimit të vendimit subjekteve të pikës 2, e njehsuar me origjinalin, i dërgohet brenda ditës nga mbërritja, Zyrës Qendrore të AKKP-së dhe i bashkohet vendimit të dhënë.

6. Me kalimin e 30 ditëve nga marrja e njoftimit të fundit, në rast se pranë ZRKKP-së nuk është paraqitur ankim nga asnjë prej subjekteve të përcaktuara në pikën 2, atëherë ZRKKP-ja brenda ditës njofton me shkrim AKKP-në për këto fakte.

Neni 14

Procedura e korrigjimit të vendimit

1. Korrigjimi i vendimeve me gabime materiale bëhet në çdo kohë edhe kryesisht nga ZRKKP-ja që ka dhënë vendimin. Kur ndaj këtij vendimi është bërë ankim apo kur ndaj tij është ushtruar nisma e shqyrtimit kryesisht nga Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, ndreqja bëhet nga ky i fundit.

2. Trajtimi i këtyre kërkesave bëhet vetëm mbi bazën e akteve dhe dokumenteve që gjenden në dosje, pa pranuar paraqitje të akteve të reja.

3. Trajtimi i këtyre kërkesave përfundon me dhënien e vendimit sipas rastit nga Drejtori i ZRKKP-së apo i AKKP-së, vendim i cili i bashkohet vendimit të ndrequr.

Neni 15

Veprimet e ZRKKP-së mbi ankimin

1. Ankimi ndaj një vendimi të dhënë nga ZRKKP ose ndaj një vendimi të dhënë nga ish komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronës ose komisionet e bashkive ose rretheve për kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve, i depozituar pranë ZRKKP-së regjistrohet nga Zyra e Protokollit në regjistrin e ankimeve.

2. Zyra e Protokollit shënon mbi ankimin datën dhe orën e depozitimit të tij dhe pajis ankuesin me vërtetim mbi këto të dhëna.

3. Ky ankim së bashku me dosjen e plotë të vendimit përkatës përcillet në Zyrën Qendrore të AKKP-së brenda 24 orëve.

Neni 16

Marrëdhëniet e ZRKKP-së me AKKP-në

1. Përveç rastit të parashikuar në nenin 15, ZRKKP-ja dërgon dosjen e një vendimi në Zyrën Qendrore të AKKP-së me kërkesë të kësaj të fundit brenda 2 ditëve kalendarike, nga dita e njoftimit.

2. Në rast se Zyra Qendrore e AKKP-së i kërkon ZRKKP-së të dërgojë informacion dhe të dhëna mbi procedurat e ndjekura për një çështje të caktuar, ZRKKP-ja vepron dhe jep përgjigje me shkrim brenda afatit të përcaktuar në Urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së për këtë qëllim, por jo më vonë se 3 ditë nga marrja e njoftimit.

KREU III

SEKSIONI I

ÇËSHTJET QË TRAJTOHEN NGA ZYRA QENDRORE

  Neni 17

Kërkesat dhe ankimet që trajtohen nga Zyra Qendrore e AKKP-së

  Zyra Qendrore e AKKP-së trajton:

a) kërkesa për kompensimin e pronës, mbi bazën e një vendimi me objekt njohjen e pronës dhe kompensimin e plotë apo të pjesshëm të saj;

b) kërkesa për korrigjimin e vendimeve të dhëna prej saj ose të vendimeve të ZRKKP-ve sipas nenit 14 të kësaj rregulloreje;

c) ankimet ndaj vendimeve të ZRKKP-së;

c) ankimet ndaj vendimeve të dhëna nga ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronës ose ish-komisionet e rretheve, bashkive ose qarqeve për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve;

d) vendimet me objekt njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronës të dhëna nga ZRKKP apo vendimeve të miratuara nga ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ish-komisionet e rretheve, bashkive ose qarqeve për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve nëpërmjet procedurës së shqyrtimit kryesisht; dhe

dh) çdo kërkesë tjetër, detyrimi, për trajtimin e të cilave buron nga akte ligjore apo nënligjore në fuqi.

Neni 18

Depozitimi i ankimeve

  1. Ankimet e parashikuara në nenin 18, shkronjat ‘c' dhe ‘d', së bashku me dokumentacionin eventual shoqërues dhe tarifën, depozitohen drejtpërdrejt ose nëpërmjet shërbimit postar.

2. Ankimet depozitohen në ZRKKP-në që ka dhënë vendimin, e cila vepron sipas nenit 17 të kësaj rregulloreje ose në Zyrën Qendrore të AKKP-së.

3. Ankimet paraqiten nga subjekti i shpronësuar apo përfaqësuesi i tij me prokurë; dhe nga Avokatura e Shtetit. Kjo e fundit nuk paguan tarifë për ankimin.

Neni 19

Regjistrimi i ankimeve

1. Ankimet e paraqitura në Zyrën Qendrore të AKKP-së, duke përfshirë edhe ato të dërguara nga ZRKKP-të sipas nenit 15 të kësaj rregulloreje, regjistrohen brenda ditës nga punonjësi i Zyrës së Protokollit në regjistrin e ankimeve.

2. Zyra e Protokollit i përcjell brenda ditës Drejtorit të Përgjithshëm ankimin, së bashku me dosjen në rastin e nenit 15, të shoqëruar me kartelën shoqëruese, e cila plotësohet sipas rubrikave të saj nga personat që trajtojnë ankimin. Kartela shoqëruese është sipas modelit të bashkëlidhur në aneksin 2 të kësaj rregulloreje dhe bëhet pjesë e dosjes.

3. Datë e fillimit të afatit 30 ditor të shqyrtimit të ankimit nga AKKP-ja konsiderohet data e regjistrimit të ankimit, sipas pikës 1 të këtij neni.

4. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, pas shënimeve përkatëse në kartelën shoqëruese, brenda ditës ia kalon për trajtim Sektorit të Marrëdhënieve me Publikun.

Neni 20

Veprimet paraprake të Sektorit të Marrëdhënieve me Publikun

1. Sektori i Marrëdhënieve me Publikun vlerëson ankimin dhe vepron si më poshtë:

a) Në rastin e paraqitjes të ankimeve jashtë afatit 30 ditor ose në rastin kur ankimi është paraqitur haptazi jashtë rrethit të subjekteve të përcaktuara nga neni 17, brenda 5 ditëve nga regjistrimi i ankimit, përgatit njoftimin e motivuar për mospranimin e ankimit. Ky akt nënshkruhet nga Drejtori i Përgjithshëm dhe i dërgohet ankuesit në adresën e dhënë prej tij.

b) Në rast të mungesës së dokumenteve të domosdoshme shoqëruese të ankimit sipas VKM-së për këtë qëllim, i dërgon ankuesit një njoftim për plotësimin e tyre. Në këtë njoftim, i cili nënshkruhet nga Drejtori i Përgjithshëm, përcaktohet në mënyrë të saktë dokumentacioni i nevojshëm, zyra ku mund të merret ky dokumentacion, si dhe afati 10 ditor nga marrja e njoftimit për paraqitjen e këtij dokumentacioni. Në rast se kërkuesi nuk paraqet dokumentacionin e kërkuar, atëherë vazhdon shqyrtimi i ankimit vetëm mbi aktet e paraqitura.

c) Në rastet e tjera, njofton ankuesin për hapjen e dosjes ankimore dhe brenda dy ditëve nga regjistrimi i ankimit, i kërkon ZRKKP-së që ka dhënë vendimin dërgimin e dosjes përkatëse. ZRKKP-ja dërgon dosjen brenda 2 ditëve kalendarike nga dita e njoftimit të kësaj kërkese.

2. Specialisti i protokollit pajis subjektin me vërtetimin e regjistrimit të ankimit.

Neni 21

Riaktivizimi i ankimit

1. Ankimit, të cilit i mungon adresa e saktë postare, do të konsiderohet si jo i mirëqenë dhe riaktivizohet vetëm me interesimin e kërkuesit pranë zyrave të AKKP-së.

2. Mungesa e adresës së saktë postare duhet të jetë e deklaruar dhe e dokumentuar nga shërbimi postar i përdorur.

Neni 22

Caktimi i grupit të punës

1. Pas veprimeve paraprake sipas nenit 20, Zyra e Protokollit ia përcjell brenda ditës dosjen e plotë Drejtorit të Përgjithshëm, i cili po brenda ditës e dërgon në Drejtorinë e Kthimit të Pronës, duke bërë shënimet në kartelën shoqëruese.

2. Drejtori i Drejtorisë të Kthimit të Pronës, brenda ditës siglon shpërndarjen e dosjes për në Sektorin e Apelimit dhe Përgjegjësi i Sektorit po brenda ditës përcakton specialistët për shqyrtimin e çështjes. Nëse për shqyrtimin e dosjes kërkohen specialistë nga më shumë se një sektor, përcaktimi i specialistëve të grupit të punës kryhet nga Drejtori i Drejtorisë së Kthimit të Pronës.

Neni 23

Detyrat e grupit të punës

1. Specialistët e grupit të punës, të caktuar për shqyrtimin e çështjes, kryejnë hetimin e plotë administrativ mbi dosjen përkatëse, si dhe vlerësimet e nevojshme në përputhje me nenin 15 të ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, me aktet nënligjore në zbatim të tij, me Kodin e Procedurave Administrative dhe me aktet e brendshme të Drejtorit të Përgjithshëm.

2. Çdo anëtar i grupit të punës, si dhe Përgjegjësi mban përgjegjësi individuale për zbatimin me korrektësi dhe paanësi të normave ligjore dhe nënligjore gjatë procedurës së shqyrtimit administrativ të dosjes, si dhe për hartimin e akteve dokumentuese të këtij shqyrtimi.

3. Brenda 3 ditëve nga marrja e dosjes ankimore, grupi i punës përcakton planin e veprimit për zgjidhjen e drejtë të çështjes, në të cilin përshkruhet nëse është e nevojshme të kërkohen konfirmime apo informacione nga të tretët apo të kryhen verifikime në terren mbi pozicionimin dhe gjendjen faktike të pronës.

4. Në rast të kryerjes së verifikimit në terren, grupi i punës përgatit, në prezencë të ankuesit, akt-verifikimin përkatës, sipas formularit tip të miratuar me Urdhrin nr. 251, datë 03.11.2006 të Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së.

5. Pas plotësimit të gjithë praktikës dhe krijimit të bindjes për zgjidhjen e drejtë të çështjes, jo më vonë se 15 ditë nga regjistrimi i ankimit, specialistët përgatisin dhe nënshkruajnë vlerësimin ligjor, relacionin, aktet e tjera të nevojshme për vendimmarrje dhe ia paraqesin përgjegjësit të Sektorit të Apelimit.

6. Përgjegjësi i Sektorit të Apelimit, brenda ditës shqyrton vlerësimin ligjor duke e ballafaquar atë me përmbajtjen e dosjes ankimore, dhe vepron si më poshtë:

a) Në rastet kur është dakord me vlerësimin ligjor të propozuar nga specialistët përkatës, nënshkruan vlerësimin ligjor dhe ia përcjell dosjen Drejtorit të Drejtorisë të Kthimit të Pronës.

b) Nëse, nuk është dakord me vlerësimin ligjor të propozuar nga specialistët përkatës, nuk e pranon këtë vlerësim nëpërmjet vënies së shënimit “NUK PRANOHET” në vlerësimin ligjor dhe nënshkrimit të tij. Në këtë rast, ai harton gjithashtu një relacion me shkrim mbi arsyet e mospranimit të vlerësimit ligjor dhe mbi veprimet shtesë që duhen kryer, duke i saktësuar ato. Ky relacion protokollohet me fraksion të numrit të dosjes dhe përfshihet në dosje. Pas këtyre veprimeve, ai ia përcjell dosjen Drejtorit të Drejtorisë të Kthimit të Pronës, nëpërmjet Zyrës së Protokollit.

Neni 24

Vendimi i Drejtorit të Drejtorisë të Kthimit të Pronës

Drejtori i Drejtorisë të Kthimit të Pronës shqyrton brenda 3 ditëve përmbushjen e anës procedurale dhe materiale të vlerësimit ligjor dhe vepron si më poshtë:

a) Nëse është dakord me vlerësimin ligjor të paraqitur, nëpërmjet nënshkrimit të tij, ia përcjell dosjen për vlerësim dhe miratim Drejtorit të Përgjithshëm, me anë të Zyrës së Protokollit;

b) Nëse krijon bindjen se ka mospërmbushje të anës proceduriale dhe materiale të vlerësimit ligjor dhe/ose evidenton mangësi në të, e përcjell për rivlerësim dhe plotësim pranë Përgjegjësit të Sektorit të Apelimit dhe grupit të punës që ka shqyrtuar dosjen përkatëse, duke dhënë arsyet dhe duke saktësuar veprimet që duhen kryersi dhe afatin kohor në një akt të veçantë me shkrim. Ky akt protokollohet me fraksion të numrit të dosjes dhe përfshihet në dosje. Pas kryerjes së veprimeve të caktuara prej tij, Drejtori i Drejtorisë të Kthimit të Pronës, brenda 2 ditëve kryen veprimet e mëposhtme:

i. Nëse është dakord me vlerësimin ligjor të ripunuar, nëpërmjet nënshkrimit të tij, përcjell dosjen për vlerësim dhe miratim pranë Drejtorit të Përgjithshëm, me anë të Zyrës së Protokollit.

ii. Nëse përsëri nuk është dakord me vlerësimin ligjor të ripunuar nga grupi i punës, përgatit një relacion me shkaqet e mospranimit të vlerësimit ligjor dhe me zgjidhjen alternative të çështjes. Ky akt protokollohet me fraksion të numrit të dosjes dhe përfshihet në dosje. Më pas, dosja i përcillet për vlerësim dhe miratim Drejtorit të Përgjithshëm.

Neni 25

Marrja e vendimit nga Drejtori i Përgjithshëm

1. Drejtori i Përgjithshëm shqyrton dosjen brenda 3 ditëve nga paraqitja e saj dhe vepron si më poshtë:

a) nëse është dakord dhe e pranon zgjidhjen e propozuar nga specialistët e grupit të punes në vlerësimin ligjor, nënshkruan vendimin përkatës.

b) nëse nuk është dakord me vlerësimin ligjor të propozuar nga grupi i punës, dhe çmon se çështja duhet zgjidhur ndryshe, paraqet me shkrim dhe në mënyrë të argumentuar arsyet e mospranimit të propozimit të dhënë në vlerësimin ligjor duke përcaktuar zgjidhjen përfundimtare të çështjes. Pas këtyre veprimeve Drejtori i Përgjithshëm përgatit dhe nënshkruan vendimin përfundimtar, sipas zgjidhjes të çmuar prej tij. Në këtë rast, përgjegjësia për zbatimin e ligjit për zgjidhjen e dhënë është individualisht e Drejtorit të Përgjithshëm, si dhe e Drejtorit të Kthimit të Pronës nëse ky i fundit ka përcaktuar të njëjtën zgjidhje në relacionin e mospranimit të vlerësimit ligjor.

2. Drejtori i Përgjithshëm merr masat që vendimi i tij, në çdo rast të jepet brenda 30 ditëve nga dita e regjistrimit të ankimit pranë AKKP-së.

Neni 26

Llojet e vendimit të Drejtorit të Përgjithshëm

1. Drejtori i Përgjithshëm vendos prishjen e vendimit të ZRKKP-së dhe kthimin për rishqyrtim kur:

a) vendimi është dhënë nga ZRKKP-ja pa respektuar rregullat për kompetencën tokësore. Në këtë rast, Drejtori urdhëron kthimin për rishqyrtim pranë ZRKKP-së kompetente;

b) vendimi është dhënë në shkelje të dispozitave urdhëruese proceduriale të neneve 8, 10 e 11 të kësaj rregulloreje, të cilat kanë ndikuar në zgjidhjen e çështjes. Në këtë rast, në vendimin e Drejtorit të Përgjithshëm saktësohen dispozitat proceduriale të shkelura, ndikimi që ato kanë patur në zgjidhjen e çështjes, si dhe detyrat që duhen përmbushur nga ZRKKP-ja në rishqyrtimin e çështjes.

2. Drejtori i Përgjithshëm vendos ndryshimin e vendimit të ZRKKP-së kur çmon se janë zbatuar keq dispozitat materiale ligjore dhe nënligjore.

3. Në rastet e tjera, Drejtori i Përgjithshëm vendos lënien në fuqi të vendimit të ZRKKP-së.

4. Në çdo rast, vendimet e Drejtorit të Përgjithshëm duhet të jepen të motivuara dhe të përmbajnë bazën ligjore.

Neni 27

Arkivimi dhe njoftimi i vendimit

1. Pas nënshkrimit të vendimit nga Drejtori i Përgjithshëm, dosja së bashku me vendimin e nënshkruar dorëzohet tek inspektori i grupit të punës, i cili, brenda 2 ditëve, pasi harton aktet e njoftimit te vendimit, së bashku me procesverbalin e dorëzimit të dosjes te përgatitur prej tij, dorëzon dosjen në Zyrën e Arkivës.

2. Zyra e Arkivës brenda ditës i përcjell Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun aktet e njoftimit për bërjen e njoftimeve përkatëse.

SEKSIONI III

TRAJTIMI I VENDIMEVE KRYESISHT

Neni 28

Rastet e ushtrimit të iniciativës së shqyrtimit kryesisht

1. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, mund të shqyrtojë kryesisht vendimet e ZRKKP-së, si dhe vendimet e miratuara nga ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ish-komisionet e rretheve, bashkive ose qarqeve për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve

2. Në ushtrimin e kësaj kompetence Drejtori i Përgjithshëm mban në konsideratë rastet e referuara nga strukturat e brendshme të AKKP-së në qendër, si dhe rastet e referuara nga ZRKKP-të.

3. Përveç rasteve të referuara nga strukturat e brendshme, Drejtori i Përgjithshëm mban në konsideratë edhe rastet e njoftuara nga:

a) K ontrolli i Lartë i Shtetit, nëpërmjet raporteve;

b) D epartamenti i Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion i Këshillit të Ministrave, nëpërmjet rekomandimeve;

c) struktura të Ministrisë së Drejtëësisë;

ç) Institucioneve të tjera shtetërore nëpërmjet akteve të motivuara me shkrim për mbrojtjen e një interesi publik; dhe

d) Çdo person fizik ose juridik, publik apo privat që provon se i është shkelur një e drejtë, nëpërmjet një akti me shkrim, në të cilin tregohet vendimi i ZRKKP-së dhe të cilit i bashkëngjiten dokumentet provuese.

Neni 29

Procedura e shqyrtimit kryesisht në rastet e referuara nga strukturat e brendshme

1. Vendimet e dërguara nga ZRKKP-të regjistrohen nga Zyra e Protokollit të AKKP-së dhe i kalojnë brenda ditës Sektorit Juridik dhe të Kontrollit. Ky i fundit brenda 5 ditëve i vlerëson vendimet për aspektet ligjore procedurale dhe materiale.

2. Përgjegjësi Sektorit Juridik dhe i Kontrollit pas vlerësimit të bërë nga specialistet e këtij sektori, përgatit relacionin me shkrim dhe nëse është rasti, përgatit me shkrim propozimin e motivuar për shqyrtimin kryesisht, të cilin ia përcjell për mendim Drejtorit të Kthimit të Pronës. Ky i fundit duhet të japë mendim të motivuar me shkrim brenda dy ditëve mbi propozimin. Në vijim, vendimi i ZRKKP-së, propozimi i Përgjegjësit të Sektorit Juridik dhe të Kontrollit dhe mendimi me shkrim i Drejtorit të Kthimit të Pronës i përcillen Drejtorit të Përgjithshëm.

3. Drejtori i Përgjithshëm brenda 5 ditëve nga marrja e këtyre akteve vendos nëse duhet të shqyrtojë ose jo kryesisht vendimin.

4. Nëse Drejtori i Përgjithshëm çmon se nuk është rasti për të ushtruar iniciativën e shqyrtimit kryesisht, atëherë ai në mënyrë të motivuar paraqet arsyet e mosushtrimit të kompetencës së shqyrtimit kryesisht, të cilin ia komunikon strukturave propozuese.

5. Nëse Drejtori i Përgjithshëm çmon se është rasti për prishjen apo ndryshimin e vendimit, ai nxjerr urdhrin e motivuar për ushtrimin e inisiativës së shqyrtimit kryesisht, me të cilin ngarkon personat përgjegjës për kryerjen e veprimeve përkatëse. Në vijim respektohen, për aq sa janë të zbatueshme, rregullat e parashikuara në nenet 22 – 27 të kësaj rregulloreje.

6. Procedura e parashikuar në këtë nen zbatohet edhe për vendimet e dhëna nga ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ish-komisionet e rretheve, bashkive ose qarqeve për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve në rast të konstatimit të tyre nga strukturat e brendshme gjatë shqyrtimit administrativ të kërkesave/ankimeve.

Neni 30

Procedurat e shqyrtimit kryesisht në rastet e referuara nga të tretët

1. Të gjitha njoftimet e parashikuara në nenin 26 pika 3, regjistrohen nga Zyra e Protokollit dhe brenda ditës i kalojnë Drejtorit të Përgjithshëm. Drejtori ia përcjell për vlerësim këto njoftime Sektorit të Marrëdhënieve me Publikun, i cili brenda 3 ditëve është i detyruar t'i paraqesë Drejtorit të Kthimit të Pronës propozimin e motivuar me shkrim për ushtrimin ose jo të iniciativës së shqyrtimit kryesisht.

2. Drejtori i Kthimit të Pronës duhet të japë mendim të motivuar me shkrim brenda dy ditëve mbi propozimin. Në vijim, vendimi i ZRKKP-së, propozimi i Sektorit të Marrëdhënieve me Publikun dhe mendimi i Drejtorit të Kthimit të Pronës i përcillen Drejtorit të Përgjithshëm.

3. Drejtori i Përgjithshëm brenda 5 ditëve nga marrja e këtyre akteve, vendos nëse duhet të shqyrtojë ose jo kryesisht vendimin.

4. Nëse Drejtori çmon se nuk është rasti për të ushtruar iniciativën e shqyrtimit kryesisht, atëherë ai në mënyrë të motivuar paraqet arsyet e mosushtrimit të kompetencës së shqyrtimit kryesisht. Ky akt i njoftohet brenda 3 ditëve subjektit që ka referuar rastin.

5. Nëse Drejtori çmon se është rasti për të ushtruar inisiativën e shqyrtimit kryesisht, ai nxjerr urdhrin me të cilin ngarkon personat përgjegjës për kryerjen e veprimeve përkatëse. Në vijim respektohen, për aq sa janë të zbatueshme, rregullat e parashikuara në nenet 22 – 27 të kësaj rregulloreje.

SEKSIONI IV

TRAJTIMI I KËRKESAVE PËR KOMPENSIM TË PRONËS

Neni 31

Kompensimi fizik i pronës

1. Kompensimi fizik i subjekteve të shpronësuar bëhet në përputhje me aktete ligjore dhe vendimin e Këshillit të Ministrave për kriteret dhe procedurat që do të përdoren për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara.

2. Rregulla më të detajuara për organizimin e punës në AKKP në lidhje me kompensimin fizik do të përcaktohen në këtë rregullore.

Neni 32

Ngritja e Grupit të Punës

1. Pas miratimit të vendimit të Këshillit të Ministrave, për kompensimin financiar subjekteve të shpronësuar, për vitin përkatës, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së ngrihet grupi i punës për pranimin dhe trajtimin e kërkesave për kompensim financiar të subjekteve të shpronësuar.

2. Drejtori i Përgjithshëm urdhëron Sektorin e Marrëdhënieve me Publikun të njoftojë në organet e masmedias për kompensimin e radhës, sipas procedurave, kritereve dhe afateve të përcaktuara në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave.

3. Menjëherë pas ngritjes së tij, grupi i punës, krijon regjistrin e dosjeve të kompensimit financiar për pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuar për kompensim finanaciar.

4. Pranimi i kërkesës dhe dokumentacionit përkatës, nga grupi i punes i pranimit të kërkesave për kompensim, kryhet brenda afatit të përcaktuar në Vendimin përkatës së Këshillit të Ministrave.

Neni 33

Veprimet e grupit të punës

Grupi i punës pranë AKKP-së, kryen veprimet e mëposhtme:

a) plotëson dhe verifikon paraprakisht dokumentacionin e paraqitur nga subjektet e shpronësuar;

b) hap dosjen për çdo subjekt kërkues dhe plotëson atë me fletë inventari, të nënshkruar nga specialisti përkatës i grupit të punës;

c) verifikon pagesën e tarifës së subjektit për hapjen e dosjes së kompensimit;

c) kryen depozitimin e dosjeve të aplikuesve në fund të çdo dite tek Përgjegjësi i Sektorit të Shpërndarjes së Kompensimit.

Neni 34

Ndarja e dosjeve sipas qarqeve

Dosjet administrative të subjekteve që kanë aplikuar për kompensim financiar, pas përfundimit të afatit të pranimit të kërkesave, të parashikuar në Vendimin përkatës së Këshillit të Ministrave, brenda 5 ditëve, bazuar në vendndodhjen e pronës, ndahen sipas qarqeve, protokollohen dhe nje kopje u dërgohet zyrave rajonale të AKKP-së përkatëse, për kryerjen e verifikimeve të nevojshme.

Neni 35

Verifikimi i dokumentacionit me kriteret e VKM-së

ZRKKP-të, sa më shpejt të jetë e mundur dhe gjithmonë në respektim të afateve të përcaktuara në legjislacionin për këtë qëllim apo në akte të brendshme të Drejtorit, verifikojnë përputhshmërinë e dokumentacionit të depozituar nga subjektet kërkues, me kriteret e përcaktuara në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, duke kryer :

a) Konfirmimin e vendimit për të cilin subjekti kërkon kompensim;

b) Evidentimin e vendimeve të tjera të miratuara në emër të subjektit që figuron ne dosjen/et përkatëse;

c) Verifikimin në terren të situatës për pronën që kërkohet për t'u kompensuar;

c) Pozicionimin e pronës për kompensim në zonën përkatëse të vlerësimit;

d) Dërgimin e kërkesës për konfirmim apo informacion zyrtar ne ZVRPP-në përkatëse, për të verifikuar gjendjen juridike të pronës për të cilën kërkohet kompensimi, si dhe për ushtrimin e të drejtës së parablerjes nga subjekti kërkues.

Neni 36

Dërgimi i relacionit në Zyrën Qendrore të AKKP-së

ZRKKP-ja, pas kryerjes së veprimeve të mësipërme, përgatit relacionin përkatës për secilin subjekt kërkues, dhe brenda afatit të përcaktuar në legjislacioni për këtë qëllim apo në akte të brendshme të Drejtorit të përgjithshëm, e dërgon atë në Zyrën qendrore të AKKP-së të shoqëruar me konfirmimin apo informacionin e marrë nga ZVRPP-të.

  Neni 37

Vendimmarrja për shpërndarjen e fondit të kompensimit të pronës

Realizimi i procesit të vlerësimit ligjor, organizohet dhe administrohet nga Drejtori i Drejtorisë të Kompensimit të Pronës, i cili brenda 3 ditëve nga ardhja e informacionit nga ZRAKKP-të në qarqe dhe plotësimi i dosjes “kërkim kompensimi”, kalon dosjen, tek përgjegjësi i Sektorit të Shpërndarjes së Kompensimit. Ky i fundit brenda ditës e kalon dosjen pranë grupit të punës për vlerësimin e kërkesës, i cili është i miratuar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm. Grupi i punës, për vlerësimin e kërkesës ka në përbërje specialist jurist dhe inxhinier topograf.

Neni 38

Detyrat e grupit të punës

1. Specialistët e grupit të punës, kryejnë hetimin e plotë administrativ mbi dosjen përkatëse, në përputhje me ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004 “Per kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, me aktet nënligjore në zbatim te tij dhe me aktet e brendshme të Drejtorit të Përgjithshëm, duke verifikuar dokumentacionin e dosjes dhe krahasuar atë me relacionin përkatës të mbërritur nga ZRKKP-të.

2. Çdo anëtar i grupit të punës mban përgjegjësi individuale për zbatimin me korrektësi dhe paanësi të normave ligjore dhe nënligjore gjatë procedurës së shqyrtimit administrativ të dosjes, si dhe për hartimin e akteve dokumentuese të këtij shqyrtimi.

3. Pas plotësimit të të gjithë praktikës, e cila krijon bindjen për zgjidhjen e drejtë të çështjes, brenda 5 ditëve nga marrja e dosjes së kompensimit, grupi i punës, përgatit dhe nënshkruan vlerësimin ligjor përfundimtar për zgjidhjen e çështjes, të cilin ia paraqet për vlerësim dhe pranim përgjegjësit të Sektorit të Shpërndarjes të Kompensimit.

4. Përgjegjësi i Shpërndarjes të Kompensimit, brenda 2 ditëve e vlerëson dosjen dhe vepron si më poshtë:

a) Nëse është dakord me vlerësimin ligjor e nënshkruan atë dhe ia paraqet Drejtorit të Drejtorisë të Kompensimit të Pronës;

b) Nëse, nuk është dakord me vlerësimin ligjor të propozuar nga grupi i punës, nuk e pranon këtë vlerësim nëpërmjet vënies së shënimit “NUK PRANOHET” në vlerësimin ligjor dhe nënshkrimit të tij. Në këtë rast, ai harton gjithashtu një relacion me shkrim mbi arsyet e mospranimit të vlerësimit ligjor dhe mbi detyrat shtesë që duhen kryer. Ky relacion protokollohet me fraksion të numrit të dosjes dhe përfshihet në dosje. Pas këtyre veprimeve, ai ia përcjell dosjen Drejtorit të Drejtorisë të Kompensimit të Pronës.

Neni 39

Vendimi i Drejtorit të Drejtorisë të Kompensimit të Pronës

Drejtori i Drejtorisë të Kompensimit të Pronës, brenda 3 ditëve nga marrja e dosjes, vepron si më poshtë:

a) Nëse është dakord me vlerësimin ligjor përmes një shkrese përcjellëse, e cila mban numër të veçantë protokolli (fraksion i numrit kryesor te protokollit), i përcjell dosjen e plotë Drejtorit të Përgjithshëm, nëpërmjet Zyrës së Protokollit.

b) Nëse nuk është dakord me vlerësimin ligjor të propozuar, për shkaqe të mospërmbushjes së anës proceduriale dhe materiale të vlerësimit ligjor apo për shkaqe të mangësive në të, e përcjell për rivlerësim dhe plotësim pranë përgjegjësit të Sektorit të Shpërndarjes të Kompensimit dhe grupit të punës që ka shqyrtuar dosjen përkatës. Në këtë rast jep arsyet dhe saktëson veprimet që duhen kryer në një akt të veçantë me shkrim. Ky akt protokollohet me fraksion të numrit të dosjes dhe përfshihet në dosje. Pas kryerjes së veprimeve të caktuara prej tij, Drejtori i Drejtorisë të Kompensimit të Pronës brenda 2 ditëve vepron si më poshtë:

i. Nëse rast se është dakord me vlerësimin ligjor të propozuar, përmes një shkrese relatuese, përcjell vlerësimin ligjor dhe gjithë dokumentacionin mbi bazën e të cilit u shqyrtua dosja, për vlerësim dhe miratim pranë Drejtorit të Përgjithshëm.

ii. Në rast se përsëri nuk është dakord me vlerësimin ligjor të propozuar, përmes një relacioni me shkrim, me numër protokolli me fraksion të numrit kryesor, argumenton shkaqet e mospranimit të vlerësimit ligjor, duke paraqitur njëkohësisht zgjidhjen alternative për çështjen dhe përcjell dosjen për vlerësim dhe miratim pranë Drejtorit të Përgjithshëm.

Neni 40

Vendimet e Drejtorit të Përgjithshëm

Drejtori i Përgjithshëm pas shqyrtimit të vlerësimit ligjor, brenda 3 ditëve, kryen veprimet si më poshtë:

a) Në rast se është dakord dhe e pranon zgjidhjen e propozuar nga grupi i punës në vlerësim ligjor, nënshkruan vendimin përkatës.

b) nëse nuk është dakord me vlerësimin ligjor të propozuar nga grupi i punës dhe çmon se çështja duhet zgjidhur ndryshe, paraqet me shkrim dhe në mënyrë të argumentuar arsyet e mospranimit të propozimit të dhënë në vlerësimin ligjor duke përcaktuar zgjidhjen përfundimtare të çështjes. Pas këtyre veprimeve Drejtori i Përgjithshëm përgatit dhe nënshkruan vendimin përfundimtar, sipas zgjidhjes të çmuar prej tij. Në këtë rast, përgjegjësia për zbatimin e ligjit për zgjidhjen e dhënë është individualisht e Drejtorit të Përgjithshëm, si dhe e Drejtorit të Kompensimit të Pronës, nëse ky i fundit ka përcaktuar të njëjtën zgjidhje në relacionin e mospranimit të vlerësimit ligjor.

Neni 41

Përgatitja e relacionit dhe njoftimi i subjektit të shpronësuar

1. Drejtori i Drejtorisë të Kompensimit të Pronës brenda 5 ditëve përgatit relacionin përmbledhës për kompensimin të subjekteve të shpronësuar, të cilët kanë paraqitur kërkesë për kompensim fiananciar, bazuar në vlerësimin ligjor përfundimtar të hartuar nga Sektori i Shpërndarjes së Kompensimit, si dhe listën përfundimtare të subjekteve fitues.

2. Subjektet fitues njoftohen, si dhe ftohen të paraqiten pranë AKKP-së për të bërë përcaktimin hartografik të sipërfaqes për të cilën do të kryhet kompensimi financiar, si dhe firmosin planvendosjen, e cila i bashkëngjitet vendimit përfundimtar. Mënyrat dhe procedurat e njoftimit janë ato të përcaktuara në këtë rregullore.

Neni 42

Hartimi i akteve të njoftimit dhe arkivimi i dosjes

1. Brenda ditës së zbardhjes së vendimit, dosja dhe vendimi i dorëzohen specialisti përkatës të grupit të punës, me qëllim hartimin e akteve të njoftimit të vendimit brenda ditës. Ky i fundit, pas njoftimeve, brenda 24 orëve dorëzon dosjen tek Zyra e Protokollit së bashku me procesverbalin e dorëzimit të dosjes, të hartuar prej tij .

2. Zyra e Protokollit e shënon në regjistrin e vendimeve për kompensim dhe arkivon dosjen.

Neni 43

Miratimi dhe zbatimi i procedurave të transferimit të fondit të kompensimit

1. Drejtori i Përgjithshëm pasi vlerëson listën përfundimtare të subjekteve fitues brenda 5 ditëve nga paraqitja e saj, e miraton atë dhe ngarkon Sektorin e Financës per zbatimin e procedurave te transferimit te fondit te kompensimit financiar, nga buxheti i shtetit tek subjektet e shpronësuara.

2. Sektori i Financës, në bazë të urdhërit të Drejtorit të Përgjithshëm, brenda 5 ditëve në bashkëpunim me Sektorin e Kompensimit dhe të Shpërndarjes realizon transferimin bankar të shumës të përfituar në të holla nga secili subjekt kërkues, duke siguruar paraprakisht numrin bankar të llogarisë të çdo subjekti përfitues të kompensimit financiar.

2. Afatet e parashikuara në këtë dispozitë zbatohen vetëm në rast se Vendimet e Këshillit të Ministrave për kompensimin e pronës nuk përcaktojnë afate më shtrënguese.

  SEKSIONI V

VEPRIME PAS MARRJES SË VENDIMIT NGA ZYRA QENDRORE

Neni 44

Dhënia e formës së prerë vendimit dhe regjistrimi i tyre

1. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vepron me ZRKKP-të për dhënien fuqi juridike të vendimeve të shpallura prej tyre, në përputhje me Urdhrin e Ministrit të Drejtësisë për këtë qëllim.

2. Drejtori i Përgjithshëm merr masat për plotësimin e rubrikës për titull ekzekutiv menjeherë me kalimin e afatit 30 ditor nga marrja e njoftimit të fundit të subjekteve që kanë të drejtën e ankimit, pasi sigurohet që këto subjekte nuk kanë paraqitur ankim. Në këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm mban në konsideratë edhe njoftimin e ZRKKP-së që ka dhënë vendimin sipas nenit 13, pika 6 të kësaj Rregulloreje.

3. Drejtori i Përgjithshëm merr masat për plotësimin e rubrikës për titull ekzekutiv menjëherë me shpalljen e vendimit të tij për lënien në fuqi të vendimeve të ZRKKP-së apo zgjidhjen e ndryshme në themel të çështjes në rastet e shqyrtimit të ankimeve apo në rastet e ushtrimit të iniciativës kryesisht prej tij.

3. Vendimi i formës së prerë, në rastet e zgjidhjes ne themel të çështjeve, si edhe planvendosja bashkëlidhur dërgohet brenda 3 ditësh në ZRPP-në përkatëse. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vepron me ZRRPP-të për regjistrimin e vendimeve të dhënia në përputhje me Urdhrin e Ministrit të Drejtësisë për këtë qëllim.

4. Mënyra e njoftimit zyrtar të Drejtorit të AKKP-së drejtuar ZRKKP-së ose ZRRPP-së përfshin çdo njoftim të dokumentuar për marrjen dijeni.

5. Kopje e vendimit me rubrikën e titullit ekzekutiv te plotësuar i jepet kërkuesit dhe ankuesit.

6. Vendimi, pas nënshkrimit te tij nga Drejtori i Përgjithshëm, dorëzohet ne arkivin e AKKP-së, së bashku me procesverbalin përkatës.

Neni 45

Publikimi i vendimeve

Vendimet që merr AKKP afishohen në stendat e varura në ambientet publike të godinës së AKKP së, si dhe në faqen e internetit të saj periodikisht cdo javë.

Neni 46

Shkëmbimi i informacionit me Ministrinë e Drejtësisë

1. Shkëmbimi i informacionit me Ministrinë e Drejtësisë do të kryhet sipas procedurave të Urdhrin e Ministrit të Drejtësisë, për këtë qëllim.

2. Informacioni i përmuajshëm, drejtuar Ministrit të Drejtësisë, sipas pikës 12 të VKM-së nr. 566, datë 23.08.2006 nënshkruhet nga Drejtori i Përgjithshëm dhe nga dy Zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm të AKKP-së.

SEKSIONI VI

TRAJTIMI I KËRKESAVE TË TJERA DHE MARRËDHËNIET MË TË TRETËT

Neni 47

Trajtimi nga Zyra Qendrore i kërkesave të tjera

1. Kërkesat e tjera, detyrimi për trajtimin e të cilave buron nga akte ligjore apo nënligjore në fuqi, pranohen nga Zyra Qëndrore e AKKP-ja në përputhje me kriteret e përcaktuara në legjislacionin përkatës. Mënyra e trajtimit të tyre, përsa është e zbatueshme, bëhet sipas rregullave të parashikuara në këtë kre dhe sipas kritereve e procedurave të përcaktuara në legjislacionin përkatës.

2. Kërkesat për informim trajtohen sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara nga legjislacioni për të drejtën e informimit dhe sipas dispozitave përkatëse të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.

Neni 48

Procedurat e trajtimit të korrespondencës

1. Pranimi dhe protokollimi i korrespondencave zyrtare, përveç kërkesave apo ankimeve, kryhet nga punonjësi i zyrës se protokollit, i cili bën evidentimin dhe klasifikimin paraprak te dokumentit ne regjistrat që mbahen pranë kësaj Zyre.

2. E gjithë korrespondenca qe i drejtohet institucionit, e shoqëruar me kartelën përkatëse përcillet çdo dite nga Zyra e Protokollit tek Drejtori i Pergjithshem i AKKP-se, i cili brenda 2 diteve e shpërndan atë në drejtoritë apo sektorët perkates.

3. Pas plotësimit të kartelës shoqëruese nga Drejtori i Përgjithshëm, sekretaria bën shperndarjen e materialit, me regjister ku duhet te pasqyrohet dhe nenshkrimi i trajtuesit të përcaktuar për shqyrtimin e dokumentacionit. Drejtorite apo sektorët perkates, brenda 5 diteve, pergatisin pergjigjet dhe ia paraqesin për nënshkrim Drejtorit të Pergjithshem, i cili i nënshkruan ato brenda një afati 2 ditor.

4. Pas nënshkrimit nga Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-se, kalojnë në Zyrën e Protokollit, e cila pasi vendos vulën e institucionit percjell korrespondencën e përgatitur në destinacionin përkatës.

KREU IV

MARRËDHËNIET E PUNËS

Neni 49

Ligji i zbatueshëm

Marrëdhëniet e punës rregullohen me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995 "Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.

Neni 50

Rekrutimi

1. Drejtori i ZRKKP-së emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, duke njoftuar paraprakisht para nënshkrimit të aktit të emërimit Ministrin e Drejtësisë.

2. Cdo punonjës tjetër i ZRKKP-së emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, kryesisht ose me propozim të Drejtorit të ZRKKPsë.

3. Cdo punonjës i AKKP-së emërohet, lirohet ose shkarkohet nga Drejtori i Përgjithshëm i AKKP/së, kryesisht ose me propozim të Drejtorit të Kthimit apo Drejtorit të Kompensimit të Pronës.

Neni 51

Kontratat e punësimit

1. Kontratat e punësimit janë individuale dhe sipas një formati standard.

2. Në kontratën e parë të lidhur me punëmarrësin caktohet me saktësi kohëzgjatja e marrëdhënies së punës.

3. Kontrata e dytë e lidhur me punëmarrësin është me kohëzgjatje të pacaktuar.

KREU V

KONTROLLI NGA ZYRA QENDRORE E AKKP-SË

Neni 52

Llojet e kontrolleve

1. Drejtori i Përgjithshëm urdhëron kontrollin e zyrave rajonale për të monitoruar procesin e trajtimit të kërkesave.

2. Drejtori i Përgjithshëm nxjerr urdhërin e kontrollit kryesisht ose me propozimin e Drejtorit të Kthimit apo të Drejtorit të Kompensimit të Pronës.

3. Në urdhrin e kontrollit, Drejtori përcakton grupin e punës, zyrën apo zyrat rajonale që do të kontrollohen, afatin e kontrollit, metodën e kontrollit, objektin e kontrollit dhe afatin e paraqitjes së raportit të kontrollit.

4. Rezultatet e kontrollit dhe propozimet e rastit pasqyrohen në raportin me shkrim të hartuar nga grupi i punës, raport i cili i paraqitet Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtorive përkatëse. Ky raport i njoftohet gjithashtu edhe zyrës apo zyrave rajonale të kontrolluara, si dhe Kabinetit të Ministrit.

5. ZRKKP ja e kontrolluar, brenda 10 ditëve, paraqet pretendimet e saj me shkrim ndaj raportit të kontrollit, të cilat grupi i kontrollit ia paraqet Drejtorit të Përgjithshëm, si dhe Drejtorit përkatës të Pronës. Një kopje e këtyre pretendimeve i njoftohet Kabinetit të Ministrit.

6. Drejtori i Përgjithshëm, brenda 5 ditëve nga paraqitja e pretendimeve, vendos mbi propozimet e bëra nga grupi i kontrollit dhe njofton Kabinetin e Ministrit.

KREU V

Masat Disiplinore

Neni 53

Përgjegjësia disiplinore

1. Shkelja e dispozitave të ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” , të ndryshuar, të Kodit të Procedurave Administrative, të Kodit të Punës, të Kodit të Etikës ose të kësaj Rregulloreje, përbën shkak për përgjegjësi disiplinore.

2. Shkeljet disiplinore klasifikohen në shkelje të lehta, shkelje të rënda dhe shkelje shumë të rënda.

3. Shkelja e rregullave të Etikës gjatë orarit zyrtar përbën shkelje të lehtë disiplinore.

4. Shkelja e dispozitave të tjera të kësaj rregulloreje përbën shkelje të rëndë disiplinore.

5. Shkelja e dispozitave urdhëruese të kësaj rregulloreje dhe e afateve të përcaktuara në të përbën shkelje shumë të rëndë disiplinore.

6. Përsëritja e shkeljeve përbën shkelje shumë të rëndë disiplinore.

Neni 54

Llojet e masave disiplinore

1. Masat disiplinore që merren ndaj punonjësve janë si më poshtë:

a) vërejtje;

b) vërejtje me shkrim;

c) vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra;

c) ulje e përkohshme në detyrë për 1 deri në 2 vjet në detyrë të një niveli më të ulët;

d) shkarkim nga detyra.

2. Këto masa disiplinore jepen në mënyrë të përshkallëzuar dhe në raport me pasojën që shkelja disiplinore ka shkaktuar.

3. Për shkelje shumë të rënda jepet masa disiplinore e parashikuar në pikën 1 shkronja “d”.

4. Për shkelje të rënda jepet masa disiplinore e e parashikuar në pikën 1 shkronja “c” dhe “d'.

5. Për shkelje të lehta jepet masa disiplinore e e parashikuar në pikën 1 shkronjat “a”, “b” dhe “c”.

Neni 55

Procedura për dhënien e masave disiplinore

Masat disiplinore jepen nga Drejtori i Përgjithshëm me propozim të eprorit direkt sipas një procedure që garanton të drejtën për tu informuar, për t'u dëgjuar, për t'u mbrojtur dhe për t'u ankuar.

KREU VI

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 56

Hyrja në fuqi

1. Kjo rregullore hyn në fuqi menjëherë dhe një kopje e saj publikohet në faqen zyrtare të AKKP-së.

2. Drejtori i AKKP-së merr masat për publikimin e saj në mjediset e Institucionit në qendër dhe në qarqe.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

MINISTRIA E DREJTËSISË

Ministri

 

URDHËR

Nr. , datë__________ 2008

  “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ORGANIZIMIN E PUNËS NË AGJENCINË E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE”

Në mbështetje të nenit 102 pika 4, të kushtetutës dhe të pikës 1 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 566, datë 23.08.2006 ”Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”

VENDOS:

1. Miratimin e Rregullores për Organizimin e Punës në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij urdhëri.

2. Ngarkohet Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zbatimin e saj.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

Ministri

Enkelejd Alibeaj


 

Copyright © 2009 AKKP.Të gjitha të drejtat e rezervuara.